Lideri i opozitës izraelite: Kryeministri Netanyahu mos të sabotojë marrëveshjen për armëpushim
2024-08-22 12:46:18

Lideri i opozitës izraelite, Yair Lapid, bëri thirrje për t’i dhënë fund përpjekjeve të kryeministrit Benjamin Netanyahu për të sabotuar bisedimet që synojnë arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi në Gaza dhe shkëmbimin e pengjeve me Hamasin, shkruan “ATSH”.

Foto:VCG

Lideri i opozitës izraelite, Yair Lapid(Foto:VCG)

“Të gjitha përpjekjet e Netanyahut për të sabotuar negociatat duhet të ndalen. Duhet të arrihet me patjetër një marrëveshje tani, para se të vdesin të gjithë të burgosurit”,- shkroi Lapid në një postim në “X”.

Ushtria izraelite mori të mërkurën kufomat e gjashtë pengjeve të mbajtura nga Hamasi në Gaza.

Izraeli vlerëson se rreth 110 izraelitë mbahen në Gaza, ndërsa Hamasi pretendon se shumë robër u vranë në sulmet izraelite në enklavë.

Në fillim të qershorit, ushtria izraelite shpëtoi katër robër të gjallë nga kampi i refugjatëve Nuseirat në pjesën qendrore të Gazës, në një operacion që rezultoi në vdekjen e mbi 210 civilëve palestinezë për shkak të artilerisë së rëndë dhe sulmeve ajrore.

Për muaj të tërë, SHBA-ja, Katari dhe Egjipti janë përpjekur të arrijnë një marrëveshje midis Izraelit dhe Hamasit për të siguruar një shkëmbim të burgosurish dhe armëpushim, si dhe për të lejuar hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza. Por përpjekjet e ndërmjetësimit kanë ngecur për shkak të refuzimit të Netanyahut për të përmbushur kërkesat e Hamasit për të ndaluar luftën. (Irma)