Emigrante (Foto Panorama)
Qeveria britanike ka bërë publike disa masa të reja për të luftuar emigracionin e paligjshëm, ku në fokus janë bandat e kontrabandës dhe rritja e deportimeve.
Ministria e Brendshme pritet të zgjerojë qendrat e paraburgimit të emigracionit si pjesë e një plani për të larguar më shumë se 14.500 emigrantë të paligjshëm në gjashtë muajt e ardhshëm, shkruan “Panorama”.
“Ne po ndërmarrim hapa të fortë dhe të qartë për të forcuar sigurinë në kufijtë tanë dhe për t’u siguruar që rregullat të respektohen dhe zbatohen”,- tha në një deklaratë sekretarja e Brendshme britanike, Yvette Cooper.
Pothuajse çdo ditë, emigrantët dhe azilkërkuesit mbërrijnë përtej kanalit të La Manshit në brigjet e Britanisë. Qëkur qeveria e re laburiste mori detyrën më 5 korrik, mbi 5700 persona kanë arritur në Britani nëpërmjet kësaj rruge detare.
Gati 300 vende shtesë do të krijohen në dy qendra të diskutueshme të largimit të emigracionit, ku emigrantët e paligjshëm dhe kriminelët do të qëndrojnë përpara se të deportohen. Deri në 100 oficerë të rinj specialistë të Inteligjencës dhe Hetimeve po rekrutohen në Agjencinë Kombëtare të Krimit (NCA), për të punuar me agjencitë europiane në shënjestrimin e bandave të kontrabandës me njerëz.
Ministrja u zotua gjithashtu për rritjen e dëbimeve. “Stafi do të angazhohet për të rritur numrin e dëbimeve të azilkërkuesve të refuzuar”,- vuri në dukje ajo, duke shpjeguar se numri i dëbimeve ka rënë me 40% që nga viti 2010. (Irma)