Kumbaro: Aksion i madh pastrimi i parqeve kombëtare
2024-08-21 14:53:42

Pastrim ne pyje (Foto ATSH)

Pastrim ne pyje (Foto ATSH)

Dita Ndërkombëtare e Maleve të Pastra këtë vit do të shënohet si pjesë e një aksioni të madh pastrimi, nismë e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe drejtorive të saj rajonale.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, bëri të ditur se nisma zhvillohet nën moton “10 parqe në 10 ditë” dhe synon pastrimin e parqeve kombëtare, shkruan “ATSH”.

“Nga datat 22 deri më 31 gusht, ju presim në një prej 10 parqeve tona kombëtare e natyrore nga Alpet deri në Llogora për të dhënë një kontribut modest, por të bukur për natyrën tonë, sepse siç kemi të drejtë t’i shijojmë bukuritë e saj të gjithë, po të gjithë duhet kemi detyrimin t’i mirëmbajmë e kujdesemi. Natyra nuk është e institucioneve, është e të gjithëve ne”,- u shpreh Kumbaro.

Shqipëria ka filluar të mbrojë parqet natyrore kombëtare që prej vitit 1940. Zonat e mbrojtura zënë një sipërfaqe totale prej 109 050 hektarësh, 10.5% të fondit pyjor dhe 3.8% të sipërfaqes totale të tokës.

Zonat e mbrojtura në Shqipëri datojnë në vitin 1940 me shpalljen dhe krijimin e rezervatit të parë shtetëror të gjuetisë (Kune-Vain-Tale) në Lezhë dhe në Parkun Kombëtar të Malit të Tomorit në Berat. (Elona)