Foto nga CFP
Viti 2024 shënon 10-vjetorin e hyrjes në fuqi të "Traktatit të tregtisë së armëve". Tani po mbahet në Gjenevë të Zvicrës konferenca e 10-të e palëve nënshkruese të traktatit, ku merr pjesë edhe një delegacion nga Kina. Në një konferencë të rregullt shtypi të martën, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme kineze Mao Ning theksoi se Kina e konsideron 10-vjetorin e hyrjes në fuqi të traktatit si një pikënisje të re dhe dëshiron të punojë së bashku me palët e ndryshme për përmirësimin e administrimit të tregtisë globale të armëve, duke i sjellë botës së trazuar më shumë qëndrueshmëri dhe siguri.
"Traktati i tregtisë së armëve" është i vetmi dokument juridik në kornizën e OKB-së për rregullimin e tregtisë globale të armëve dhe ka rëndësi të madhe për mbrojtjen e paqes dhe të qëndrueshmërisë botërore.
Mao Ning u shpreh se Kina e përkrah "Traktatin e tregtisë së armëve" dhe mban një qëndrim të kujdeshëm e të përgjegjshëm për problemin e tregtisë së armëve. Kina e zhvillon tregtinë e armëve vetëm me vendet sovrane dhe nuk i shet armë asnjë organizate joshtetërore.
"Kina zbaton rreptësisht tre parimet e eksportit të armëve, domethënë eksporti i armëve është në favor të forcimit të aftësisë së arsyeshme vetëmbrojtëse të vendeve importuese, nuk dëmton paqen, sigurinë dhe qëndrueshmërinë rajonale e botërore dhe nuk ndërhyn në punët e brendshme të vendeve importuese. Pas pjesëmarrjes në traktat në vitin 2020, Kina e ka zbatuar seriozisht atë, duke ndërmarrë veprime konkrete për zgjidhjen e problemeve të vështira të sigurisë globale dhe për rregullimin e tregtisë globale të armëve. Kjo tregon plotësisht sinqeritetin e vendosmërinë e Kinës për mbrojtjen e sistemit të qeverisjes globale, përkrahjen e multilateralizmit dhe promovimin e bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit," vuri në dukje Mao Ning. (Fani)