Port (Foto ATSH)
Eksportet e mallrave arritën vlerën 233 miliardë lekë gjatë periudhës janar-korrik të këtij viti, duke shënuar ulje me 14.5%, krahasuar me 7-mujorin e 2023-shit.
Sipas raportit mbi tregtinë e jashtme të publikuar nga INSTAT, ndryshe nga eksportet, importet e mallrave u rritën me 3.2%, duke arritur 526 miliardë lekë, citon “ATSH”.
Deficiti tregtar arriti vlerën 293 miliardë lekë, duke u rritur me 23.6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Grupet që kanë ndikuar në uljen vjetore të eksporteve janë “minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me 6 pikë përqindje, “tekstile dhe këpucë” me 5.2 pikë përqindje, “materiale ndërtimi dhe metale” me 2.2 pikë përqindje, etj.. Pozitivisht ndër të tjera ka ndikuar grupi “produkte kimike dhe plastike” me 0.1 pikë përqindje.
Ndërsa gupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të importeve, janë “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 3.3 pikë përqindje, “ushqime, pije, duhan” me 1.5 pikë përqindje, “materiale ndërtimi dhe metale” me 0.6 pikë përqindje.
Eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 71.5% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 51.9% të importeve gjithsej.
Partnerët kryesorë tregtarë janë Italia me 28.6%, Turqia me 8.2%, Kina me 7.7% dhe Greqia me 7.3%. (Elona)