Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu (Foto RTSH)
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu zhvilloi një takim me inspektorët e zyrave arsimore të drejtorive rajonale, përfaqësuesit e Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar dhe Qendrës së Shërbimeve Arsimore. Ky takim kishte për qëllim diskutimin dhe planifikimin e masave për të siguruar që viti i ri shkollor të nisë mbarë dhe të përmbushë standardet më të larta të vendosura për institucionet arsimore në vend.
Ministrja Manastirliu nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe harmonizimit të punës mes institucioneve, për mbarëvajtjen e vitit të ri shkollor, shkruan “ATSH”.
“Është e domosdoshme që të kemi një organizim më efektiv të planit të masave, veçanërisht kur bëhet fjalë për verifikimet, monitorimin dhe inspektimet. Ky harmonizim kërkon që ju të jeni më të shpejtë, më ndërveprues, por mbi të gjitha, më të vendosur në këtë mision të përbashkët për të garantuar standardet më të mira dhe cilësinë më të lartë të sistemit arsimor. Standardet fillojnë të plotësohen vetëm nëse ka një koordinim të ngushtë dhe një përkushtim pa kompromis nga ana juaj”,- iu drejtua ministrja Manastirliu inspektorëve dhe drejtuesve të institucioneve arsimore.
Ministrja theksoi domosdoshmërinë e përforcimit të bashkëpunimit me bashkitë për garantimin e kushteve infrastrukturore në shkolla, veçanërisht për ato që janë në proces rindërtimi ose rehabilitimi.
Ajo e vuri gjithashtu theksin te monitorimi dhe inspektimi i shkollave private, duke kërkuar një angazhim të plotë për të siguruar që edhe këto institucione të përmbushin standardet e cilësisë.
“Kërkohet një angazhim 100% nga ana juaj për monitorimin dhe verifikimin në shkollat e arsimit privat dhe kopshteve. Ky angazhim duhet të përfshijë monitorimin e infrastrukturës, verifikimin e licencave dhe sigurimin që të gjitha stafet pedagogjike të jenë të certifikuara dhe të njohura sipas ligjit në fuqi. Fokusi ynë duhet të jetë garantimi i cilësisë së mësimdhënies dhe inspektimi i stafeve pedagogjike në institucionet e arsimit privat, për të siguruar që të gjithë fëmijët, qoftë në shkolla publike apo private, të marrin edukimin e merituar në përputhje me standardet e kërkuara”,- theksoi Manastirliu.
Ministrja Manastirliu u ndal edhe te procesi i rëndësishëm i shpërndarjes së librave shkollorë.
“Ditët e fundit të gushtit dhe fillimi i shtatorit janë kyçe për shpërndarjen e librave shkollorë falas. Është e rëndësishme që ky proces të ecë me ritëm, që të gjitha shkollat të jenë të furnizuara në kohë dhe nxënësit të marrin librat e tyre”. (Elona)