Automjetet po ngarkohen në anije në terminalin e automobilave Nansha, të qytetit Guangzhou të Provincës Guangdong e Kinës jugore, 2 korrik 2024./CFP
Kina kundërshton planin e Komisionit Evropian për të vendosur tarifa importi deri në 36.3% për automjetet elektrike kineze. Do të merren të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur të drejtat dhe interesat legjitime të ndërmarrjeve kineze, tha të martën një zëdhënës i Ministrisë së Tregtisë.
Muajin e kaluar, komisioni vendosi tarifa shtesë të përkohshme deri në 37.6% për prodhuesit kinezë të EV, pasi nisi një hetim kundër subvencioneve për automjetet elektrike kineze në tetor 2023.
Të martën, Komisioni publikoi një projekt-plan për t'i bërë këto tarifa përfundimtare, me norma pak të rishikuara, që do të miratohen nga vendet anëtare të BE.
Procesi i hetimit i Komisionit ndaj subvencioneve të automjeteve elektrike kineze nuk përputhet me rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe është një akt i "konkurrencës së pandershme" nën maskën e "konkurrencës së ndershme", sipas zëdhënësit.
Gjatë procesit të hetimit, qeveria kineze dhe industria e automjeteve elektrike siguruan dokumente të shumta ligjore dhe prova materiale, përmes mjeteve të ndryshme si pyetësorët, komentet me shkrim dhe deklaratat në seancat dëgjimore. Ata janë mbrojtur në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të plotë ndaj praktikave të paarsyeshme dhe të papajtueshme të palës europiane, tha zëdhënësi.
Praktika e gabuar e Komisionit do të prishë stabilitetin e zinxhirit global të furnizimit të automjeteve dhe do të dëmtojë interesat e konsumatorëve evropianë, tha zëdhënësi, duke shtuar se gjithashtu do të dëmtojë transformimin e gjelbër të BE-së dhe bashkëpunimin global në adresimin e ndryshimeve klimatike.
Zëdhënësi i bëri thirrje BE-së të marrë masa praktike për të parandaluar përshkallëzimin e mosmarrëveshjeve tregtare, duke theksuar se të dy palët kanë zhvilluar më shumë se 10 raunde konsultimesh teknike për këtë rast, që nga fundi i qershorit. (Xu Guang)