Gjermani (Foto Bundestag.de)
Qeveria gjermane ka hedhur poshtë pretendimet se Gjermania do të reduktojë mbështetjen e saj për Ukrainën për shkak të kufizimeve buxhetore.
“Gjermania mbetet absolutisht e përkushtuar dhe premtimi i kancelarit Olaf Scholz për të mbështetur Ukrainën do të vazhdojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, - tha zëvendëszëdhënësi i qeverisë, Wolfgang Büchner, shkruan “ATSH”.
Këtë vit pritet të dorëzohen katër sisteme të mbrojtjes ajrore IRIS-T, së bashku me 10 tanke kundërajrore Gepard (Cheetah), 10 tanke luftarake Leopard, drone luftarake dhe municione.
Ministri i Financave, Christian Lindner, shkroi më herët në një letër drejtuar ministrit të Mbrojtjes Boris Pistorius dhe ministres së Jashtme Annalena Baerbock se masat e reja, që përfshijnë detyrimet e pagesave, duhet të ndërmerren vetëm nëse sigurohet financimi në planet buxhetore për këtë vit dhe për vitet në vijim.
Këtë vit, Gjermania po ofron një mbështetje ushtarake për Ukrainën – me vlerë rreth 7.5 miliardë euro. Për vitin 2025, qeveria ka caktuar 4 miliardë euro. (Elona)