Shtohet gjallëria në marrëdhëniet Kinë-Vietnam
2024-08-21 14:24:26

Në fund të vitit të shkuar, Kina dhe Vietnami deklaruan krijimin e komunitetit Kinë-Vietnam me fate të përbashkëta me rëndësi strategjike. Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Vietnamit dhe Presidenti i vendit To Lam, zhvilloi një vizitë shtetërore në Kinë në datat 18 - 20 gusht, duke i shtuar gjallërinë zhvillimit të thelluar të këtyre marrëdhënieve. Kjo ishte vizita e parë e To Lam jashtë vendit, që pas marrjes së detyrës si lider i partisë në fillim të muajit, gjë që tregon për rëndësinë strategjike të marrëdhënieve dypalëshe.

Foto:Xinhua

Samiti Kinë-Vietnam, 19 gusht 2024, Pekin(Foto:Xinhua)

Në samitin e datës 19 gusht krerët e dy vendeve theksuan njëzëri fjalë si "prioritet" dhe "thellim" marrëdhëniesh. Kina deklaroi se do ta konsideronte Vietnamin me prioritet në punët e saj të jashtme dhe se të dyja palët duhet të vazhdonin të thellonin ndërtimin e një komuniteti Kinë-Vietnam me fate të përbashkëta me rëndësi strategjike. Ndërsa, pala vietnameze u shpreh se e konsideron Kinën si një zgjedhje strategjike dhe prioritare në politikën e jashtme të vendit. Ajo është e gatshme të thellojë më tej partneritetin e gjithanshëm strategjik Vietnam-Kinë, për të çuar përpara ndërtimin e komunitetit me fate të përbashkëta me rëndësi strategjike.

Analistët vunë në dukje se deklaratat dëshmuan vullnetin dhe vendosmërinë e të dyja palëve për thellimin e bashkëpunimit. Kina dhe Vietnami janë të dyja vende socialiste të udhëhequra nga Partia Komuniste, me të njëjtin sistem politik, ideale dhe rrugë të ngjashme zhvillimi. Aktualisht, Kina po promovon modernizimin e stilit kinez dhe po marshon drejt realizimit të objektivit për të ndërtuar një vend socialist modern dhe të fuqishëm në mënyrë të gjithanshme. Ndërkohë, Vietnami, nën synimet e 100 vjetorit të themelimit të partisë dhe krijimit të shtetit, po nxit ndërtimin e një vendi modern socialist.

Kina shprehu mbështetjen e saj për Vietnamin, në ndjekjen e një rruge socialiste në përputhje me kushtet kombëtare dhe promovimin më tej të kauzës së reformës, hapjes dhe modernizimit socialist. Vietnami deklaroi se i përmbahet me vendosmëri politikës së “një Kine”, mbështet fuqishëm atë në arritjen e ribashkimit kombëtar dhe kundërshton me vendosmëri çdo forcë që ndërhyn në punët e brendshme të Kinës. 

Foto:Xinhua

Samiti Kinë-Vietnam, 19 gusht 2024, Pekin(Foto:Xinhua)

Kina dhe Vietnami kanë lidhje të ngushta ekonomiko-tregtare, të cilat janë përplotësuese nga ana industriale dhe me mundësi të mëdha bashkëpunimi. Prej shumë vitesh, Kina është partnerja më e madhe tregtare e Vietnamit. Ndërkohë Vietnami është partneri më i madh tregtar i Kinës në vendet anëtare të ASEAN-it dhe i katërti më i madh në botë. Në gjysmën e parë të vitit, vëllimi tregtar dypalësh u rrit me rreth 20.6%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. 

Gjatë vizitës së To Lam në Kinë, Kina propozoi zgjerimin e bashkëpunimin brenda nismës "Një brez, një rrugë" dhe "Dy korridore dhe një rreth", për të përshpejtuar lidhjet e hekurudhave, autostradave, porteve, doganave inteligjente dypalëshe, gjë që do të promovojë në mënyrë efektive cilësinë e bashkëpunimit, si edhe do të garantojë funksionimin e mbarë të zinxhirëve industrialë. 

Kina dhe Vietnami kanë gjithashtu plane për të forcuar bashkëpunimin në bujqësi, infrastrukturë, energji, ekonomi digjitale, zhvillimin e gjelbër, mineralet dhe fusha të tjera, të cilat do ti çojnë lidhjet dypalësh në një nivel të ri.

Shkëmbimet e njerëzve midis Kinës dhe Vietnamit po shtohen gjithashtu. Falë politikave si fluturimet direkte dhe lehtësimi i vizave, provinca Yunnan në kufirin jugperëndimor të Kinës ka mirëpritur një numër të madh turistësh vietnamezë. Ndërkohë, sipas statistikave të Administratës Kombëtare të Turizmit të Vietnamit, vetëm në maj të këtij viti, 357,000 turistë kinezë vizituan Vietnamin, duke e ribërë Kinën burimin më të madh të turistëve të huaj në Vietnam.

Thellimi i ndërtimit të komunitetit me fate të përbashkëta Kinë-Vietnam nuk fokusohet vetëm në zhvillimin e dy vendeve, por edhe ndaj gjithë botës. 

Foto:VCG

Mallrat vietnameze që shiten në Kinë(Foto:VCG)

Në të ardhmen, palët do të forcojnë koordinimin dhe bashkëpunimin me mekanizmat shumëpalësh si Kombet e Bashkuara, ASEAN dhe Bashkëpunimin Lancang-Mekong, duke promovuar multipolaritetin e barabartë dhe të rregullt të rendit botëror, si dhe globalizimin ekonomik gjithëpërfshirës. Ky është padyshim një lajm i mirë për paqen dhe zhvillimin e rajonit dhe botës.(Zhang Yan/Elona)