Mbi 200 të vdekur nga përmbytjet në Pakistan
2024-08-21 17:20:57

Foto:VCG

Më shumë se 200 persona janë raportuar të vdekur nga shirat e dendur dhe përmbytjet në Pakistan që nga fillimi i sezonit të musoneve në korrik, bën të ditur “ATSH”.

“Ekipet e shpëtimit kanë transportuar banorët nga qytetet jugore të Sukkur dhe Larkana në tokë të thatë për shkak të përmbytjeve masive që përfshinë disa lagje, ku u regjistruan shirat më të dendur në shtatë dekada”,- tha zyrtari lokal Sheikh Uzair.

“Rreth gjysma e 215 viktimave ishin fëmijë, ndërsa më shumë se 400 njerëz u plagosën”,- bëri të ditur Agjencia Kombëtare e Menaxhimit të Fatkeqësive. 

Reshjet e dendura të shiut priten të vazhdojnë në të gjithë vendin deri më 25 gusht.  Mbi 2000 persona u vranë nga përmbytjet dhe sëmundjet pasuese në Pakistan në vitin 2022, kur një e treta e vendit të Azisë Jugore u përmbyt nga uji. (Elona)