Unversiteti Bujqësor i Tiranës (Foto UBT)
Maturantët tashmë kanë bërë zgjedhjet e tyre për universitete pasi aplikimet online u caktuan nga 30 korrik-4 gusht. Edhe këtë vit të ri akademik qeveria po nxit të rinjtë që të zgjedhin degët prioritare, duke i ndihmuar edhe me stimuj financiarë. Konkretisht duke marrë pagesë prej 40 mijë lekë të rinj në muaj dhe duke i hequr tarifën e arsimit. Në një intervistë për mediat Rektori i Universitetit Bujqësor, Fatbardh Sallaku ka dhënë detajet lidhur me këtë nismë për Universitetin që ai drejton.
“Është e vërtetë që qeveria shqiptare do ta vazhdojë mbështetjen financiare për një numër të caktuar kuotash dhe programesh studimi të cilat konsiderohen me rëndësi kombëtare, por unë do të theksoja faktin që pavarësisht se është e konsiderueshme dhe e lavdërueshme kjo mbështetje financiare, do të doja që maturantët të mos e zgjidhnin këtë universitet jo vetëm nga pagesa, por ta zgjidhnin më shumë për diplomën që marrin dhe vlerën që ka, dhe për shumë arsye të tjera.”
Janë një sërë degësh për të cilat tregu i punës do të ketë gjithmonë nevojë.
“Bëhet fjalë për studentët apo maturantët që vendosin të aplikojnë agronomi, zooteknikë, peshkim, mbrojtje bimësh, hortikulturë dhe inxhinieri pyjesh. Qeveria shqiptare ka alokuar një numër të caktuar kuotash, të cilat do jetë të publikuara shumë shpejt dhe çdo i ri që fiton do marri mbështetje financiare në vlerën e pagës minimale që është 40 mijë lekë të vjetra. Krahas kësaj edhe tarifa e regjistrimit është e zeruar. Krahas kësaj Universiteti Bujqësor siguron edhe kushte akomodimi për një vlerë minimale që është rreth 50 mijë lekë të vjetra në muaj dhe kushtet janë shumë të mira në konviktet që kemi”, u shpreh rektori Sallaku
Rektori i UBT Fatbardh Sallaku (Foto Gazeta Shqip)
Në intervistën për Klan News, Sallaku tha se kuotat do të përcaktohen më vonë.
“Bëhet fjalë për kuota të jemi korrekt me të rinjtë, ka një sërë kuotash të caktuara. Për momentin është në diskutim e sipër, por viti që shkoi Universiteti Bujqësor ka qenë ndër universitetet e para nga universitetet publike që ka marrë numrin më të madh sepse janë programe me rëndësi kombëtare. Ne kemi marrë 80 kuota, që do të thotë që të gjithë të rinjtë që studiojnë për agronomi, zooteknikë, peshkim, hortikulturë dhe inxhinieri pyjesh e përfitojnë këtë mbështetje financiare. Këtë vit shpresojmë të kemi një numër të konsiderueshëm, por është me kuota që do të thotë jo të gjithë do të përfitojnë, por ato që janë edhe me rezultate më të mira dhe do ketë një farë rankimi”, theksoi rektori.
Ndërsa gjatë viteve të mëparshme shumë degë rrezikonin të mos hapeshin për shkak të mungesës së interesimit të të rinjve, këtë vit nuk parashikohet një fenomen i tillë.
“Aktualisht Universiteti Bujqësor nuk ka degë të tilla që rrezikohen, kjo falë edhe interesit dhe zhvillimeve, pasi tashmë universiteti ka filluar një ndër reformat më të mëdha strukturore të tij. Nuk do ta quaj reformë që prek vetëm një sektor, një aspekt, por është një reformë totale strukturore. Universiteti Bujqësor para 1 muaji ka konkluduar marrëveshjen me një nga universitetet më të mira në Evropë në shkencat e jetës. Është një universitet pothuajse i ngjashëm me strukturën dhe me profilin që Universiteti Bujqësor ka dhe ne në harkun kohor të katër viteve kemi marrë përsipër të ndryshojmë totalisht ofertën akademike, shkencore dhe ofertën e transferimit të teknologjive. Ky është një zhvillim, një dhuratë që i vjen te rinjve maturantë shqiptarë sepse krahas përfitueshmërisë ekonomike, për disa kuota të caktuara krahas nivelit që stafi akademik i këtij universiteti ka, në harkun kohor të katër viteve çdo i ri që do të regjistrohet në këto programe do ketë fatin të marri diploma duale, dyshe të barabarta me studentët austriakë të Vienës”, vuri në dukje Sallaku.
Mjedise të UBT (Foto UBT)
Sa të mjaftueshëm janë këto kontingjente që po dalin për nevojat që ka bujqësia?
“Kjo është një pyetje shumë e saktë dhe shumë korrekte që ha diskutim por ekonomia shqiptare, sektori i bujqësisë dhe të gjithë sektorët apo nënsektorët e vet, për këto lloj profesionesh besoj që nuk ka më shumë nevojë se 100 apo 80 kuota janë të mjaftueshme. Edhe para viteve ‘90 kur unë jam diplomuar, jemi diplomuar rreth 120 apo 150 agronomë në atë kohë. Çka do të thotë që në kushtet e kësaj ekonomie sot duke përfshirë dhe institucionet, ekonominë private, fermerët them që rreth 100 specialistë janë të mjaftueshëm. Kjo do të thotë që në këto kuota që ne kemi, në këtë numër studentësh, besoj që jemi të mjaftueshëm.”
Siç duket është hartuar edhe pjesa ligjore në atë mënyrë që përcakton saktë angazhimin e studentëve në tregun e punës me vonë.
“Ana ligjore është e saktë për sa i përket detyrimeve. Një i ri që përfiton këtë mbështetje, duhet të punojë një periudhë të caktuar kohore. Janë disa kritere që nuk i kanë njohur shumë, patjetër që janë disa kritere rregulluese dhe ka sens. Sepse nëse ti merr një pagesë financiare të plotë për gjithë studimet që ti kryen, ke detyrimin të punosh dhe të kontribuosh në ekonominë e vendit.”
Shifrat kanë treguar se gjetja e një pune pas studimeve në UBT është shumë e lehtë. Përpos bursës për degët prioritare, Sallaku tha se Universiteti Bujqësor vjen me një ofertë serioze, pasi duke nisur që nga muaji tetor studentët do të përfitojnë nga bashkëpunimi me universitetin Boku në Vjenë. Synimi final i kësaj marrëveshjeje, sipas rektorit Sallaku është që studentët të marrin dy diploma nga të dy universitetet.
Unversiteti Bujqësor i Tiranës (Foto UBT)
“Nëse do përmendim një serë faktorësh siç është mbështetja financiare që për mua është e rëndësishme, por nuk do të doja të ishte parësore për një të ri që po mendon sot për t’u regjistruar, krahas vlerave që ka ky universitet dhe traditës. Është një nga universitetet më të rankuara në vend, është një universitet diploma e të cilit është njohur që para viteve ‘90 dhe që njihet në çdo cep të globit sot që flasim. Një universitet i binjakëzuar është i vetmi që një i ri do të marrë diplomë duale, dyshe përkatësisht nga Universiteti Boku i Vjenës dhe Universiteti Bujqësor i Tiranës. Mbi 180 të rinj maturantë që do të regjistrohen në këto programe të Universitetit Bujqësor do kenë mundësi të shkojnë minimalisht 6 muaj në Vjenë, që të përfitojnë një eksperiencë të re. Përveç këtyre kritereve unë po flas për cilësinë e stafit akademik, akomodimin dhe infrastrukturën, por mbi të gjitha çdo i ri që diplomohet e ka vendin e punës të sigurtë”, tha rektori i UBT
Afro 95% e të rinjve që përfundojnë studimet në këtë universitet integrohen në tregun e punës brenda vitit të parë të diplomimit.