Të martën pasdite, presidenti kinez Xi Jinping u takua në Pekin me të gjithë anëtarët e delegacionit sportiv të Kinës që morën pjesë në Lojërat e 33-ta Olimpike të zhvilluara në kryeqytetin e Francës Paris. Ai theksoi që në Lojërat Olimpike të Parisit, të gjithë sportistët kinezë bënë përpjekjet më të mëdha dhe patën rezultatet më të mira në Lojërat Olimpike Verore të zhvilluara jashtë vendit, duke fituar nder për atdheun dhe popullin. Xi u shprehu anëtarëve të delegacionit sportiv dhe të gjithë punonjësve të sportit urime të përzemërta.
Sipas kreut të shtetit të Kinës, rezultati i mirë i delegacionit sportiv kinez tregon përparimin e çështjes sportive në Kinë dhe pasqyron suksesin e modernizimit të Kinës. Fuqizimi i vendit është themeli i fuqizimit të sportit. Forcimi i pandërprerë i potencialit të vendit ka dhënë mbështetje të fortë teknologjike e materiale për stërvitjen në fushën e konkurrimit sportiv, duke përgatitur shumë talente sportive. Kina do të vazhdojë të zhvillojë çështjen sportive me popullin në qendër, për t'u shndërruar në një vend të fuqishëm sportiv dhe për të krijuar një Kinë të shëndetshme.
Presidenti Xi shprehu shpresën gjithashtu se sportistët do të vazhdojnë përpjekjet dhe do të forcojnë më tej nivelin e stërvitjes e të konkurrimit, duke përshpejtuar përgatitjen e talenteve sportive, për të dhënë kontribut të mëtejshëm në krijimin e një vendi të fuqishëm sportiv. (Fani)