Xi Jinping-u takohet me kryeministrin e Fixhit
2024-08-20 21:18:24

Të martën pasdite, presidenti kinez Xi Jinping u takua në Pekin me kryeministrin e Fixhit Sitiveni Rabuka, që ndodhet për një vizitë zyrtare në Kinë.

Xi u shpreh se Fixhi është vendi i parë ishullor i Paqësorit që vendosi marrëdhënie diplomatike me Kinën dhe vitin e ardhshëm do të jetë 50-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Gjatë këtij gjysmëshekulli, Kina dhe Fixhi e kanë përkrahur gjithmonë njëri-tjetrin dhe marrëdhëniet e tyre dypalëshe janë shndërruar në shembull të trajtimit të barabartë dhe të bashkëpunimit miqësor mes vendeve të ndryshme. Kina u kushton shumë rëndësi marrëdhënieve me Fixhin dhe dëshiron t'i japë Fixhit ndihmë brenda mundësive për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror, duke u sjellë të dy popujve përfitime.

Xi Jinping-u e njohu kryeministrin Sitiveni Rabuka me përvojën e Kinës për sa i përket ndihmës ndaj të varfërve. Ai tha se mbi 1.4 miliard banorë kanë hyrë së bashku në shoqërinë e begatë dhe ky është kontributi historik i dhënë nga Kina për pakësimin e varfërisë dhe zhvillimin e njerëzimit. Modernizimi i Kinës është një modernizim me zhvillim paqësor. Kina dëshiron t'u japë vendeve ishullore të Paqësorit, duke përfshirë Fixhin, ndihmë për përballimin e ndryshimit të klimës, duke forcuar bashkëpunimin lidhur me zhvillimin.

Nga ana e tij, kryeministri Sitiveni Rabuka u shpreh se gjatë vizitave që bëri këtë herë në provincat Yunnan, Fujian, Zhejiang etj., ai pa me sy mrekullitë dhe sukseset e mëdha të Kinës në zhdukjen e varfërisë dhe zhvillimin. Ai shprehu shpresën që Fixhi do të mësojë nga përvoja e Kinës dhe do të forcojë bashkëpunimin me Kinën në fushën e zbutjes së varfërisë, të infrastrukturës, të ndërlidhjes etj. "Fixhi vlerëson Pesë Parimet e Bashkëjetesës Paqësore të Kinës dhe dëshiron të vazhdojë ndërtimin e përbashkët të 'Një brez, një rrugë' me Kinën, duke nxitur zhvillimin e marrëdhënieve mes vendeve ishullore të Paqësorit e Kinës. Fixhi e mirëkupton qëndrimin e Kinës në problemin e Tajvanit dhe do të vazhdojë t'i përmbahet politikës së 'një Kine'," tha Rabuka. (Fani)