Të martën pasdite, presidenti kinez Xi Jinping u takua në Pekin me kryetarë të huaj parlamentesh që marrin pjesë në veprimtarinë me rastin e 40-vjetorit të anëtarësimit të Asamblesë Kombëtare Popullore (AKP) të Kinës në Bashkimin Ndërparlamentar (BN) dhe në simpoziumin e 6-të të parlamentarëve të vendeve në zhvillim.
Xi Jinping-u u shprehu së pari kryeparlamentarëve të vendeve të ndryshme mirëseardhjen në Kinë. Ai tha se, në kohën kur situata botërore po ndryshon shpejt, Kina dëshiron të promovojë së bashku me vendet e ndryshme shumëpolaritetin e barabartë botëror, globalizimin ekonomik gjithëpërfshirës dhe ndërtimin e bashkësisë me fate të përbashkëta të njerëzimit.
Kreu i shtetit kinez theksoi se shkëmbimet mes organeve ligjvënëse janë pjesë e rëndësishme përbërëse e marrëdhënieve midis vendeve të ndryshme. Organet ligjvënëse kanë përgjegjësinë dhe aftësinë të luajnë rol aktiv për vendosjen e marrëdhënieve të barabarta shtetërore me besim të ndërsjellë, për zgjerimin e bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta, për nxitjen e shkëmbimeve të hapura dhe për qeverisjen e arsyeshme globale. Kina nuk kërkon vetëm modernizimin e vet, por dëshiron që të nxitë së bashku me vendet e ndryshme modernizimin botëror me zhvillim paqësor, bashkëpunim me leverdi të ndërsjellë e lulëzim të përbashkët.
Xi Jinping-u i njohu më tej mysafirët me zhvillimin e plenumit të tretë të Komitetit Qendror të 20-të të PKK-së. Sipas tij, Kina do të promovojë me vendosmëri hapjen me botën e jashtme për të nxitur zhvillimin ekonomik botëror dhe është e gatshme të forcojë shkëmbimet dhe bashkëpunimin me organet ligjvënëse të vendeve të ndryshme për të kërkuar së bashku rrugët e modernizimit në përputhje me gjendjen e tyre kombëtare.
Presidentja e Bashkimit Ndërparlamentar dhe kryetarja e Asamblesë Kombëtare të Tanzanisë Tulia Ackson, kryetari i Asamblesë Kombëtare të Namibisë Peter Katjavivi dhe kryeparlamentarë të tjerë u shprehën se, si vendi më i madh në zhvillim në botë, Kina i ka ndihmuar qindra milionë njerëz të shkëputen nga varfëria, duke pasur suksese të mëdha në zhvillim. Kjo ka forcuar besimin e vendeve të tjera në arritjen e zhvillimit, duke u sjellë atyre mundësi të rëndësishme. Bashkimi Ndërparlamentar e admiron Kinën për mbajtjen e qëndrimit të barabartë dhe të drejtë në çështjet ndërkombëtare, për promovimin e barazisë mes vendeve të ndryshme dhe për nxitjen e paqes, qëndrueshmërisë dhe zhvillimit të përbashkët të botës. Pjesëmarrësit e ndryshëm u shprehën gjithashtu se përkrahin nismën "Një brez, një rrugë", Nismën e Zhvillimit Global, Nismën e Sigurisë Globale dhe Nismën e Qytetërimit Global të paraqitura nga Kina, dhe do të forcojnë marrëdhëniet e partneritetit miqësor me Kinën, do t'i përmbahen parimit të "një Kine" dhe do të forcojnë bashkëpunimin me Kinën për të mbrojtur së bashku multilateralizmin dhe për të promovuar shumëpolaritetin e barabartë botëror, globalizimin ekonomik gjithëpërfshirës dhe ndërtimin e bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit. (Fani)
