Plazhet shqiptare (Foto Buletini Ekonomik)
Nuk ndodh vetëm tek ne, që plazhet më të bukura dhe të frekuentuara dendur të mbushen me mbeturina në pikun e sezonit veror turistik. Mirëpo bashkitë bregdetare në vendet fqinje me ne janë më të përgatitura dhe më me eksperiencë, për të pastruar në kohën e duhur dhe si duhet, në mënyrë që të nesërmen, plazhet të duken të pastra. Ende bashkitë tona nuk janë aq mirë të organizuara, për të përballuar mbipopullimin e brigjeve dhe plazheve të tyre.
Mirëpo turizmi nuk të fal, po i lë plazhet të papastruara, pasi imazhi i vendit tonë si vend turistik dëmtohet ndjeshëm.
Kjo është arësyeja pse, më 12 gusht 2024, me nismën e ZvKryeministres dhe Ministres se Energjisë dhe Infrastrukturës, si dhe Ministrit të Mbrojtjes, Forcat e Armatosura ndihmuan bashkitë e Sarandës dhe Himarës, që të pastronin plazhet ndër më të bukurat të tyre, por ku është shumë e vështirë të shkohet në rrugë tokësore.
Ushtria ndërhyri nga toka dhe nga deti. Kjo të kujton një nismë të mbi një dekade më parë, kur më 17 maj 2014, një mijë e 380 ushtarë dhe 79 mjete për transport personeli dhe transport mallrash të Forcave e Armatosura nisnin një aksion për pastrimin, grumbullimin dhe largimin e mbeturinave urbane dhe inerteve në plazhet e Durrësit, Golemit, Shëngjinit dhe të Velipojës.
Pastrimi i plazheve (Foto Top Channel)
Forcat e Amatosura mund dhe duhet të jenë aleate strategjike të turizmit tonë. Turizmi është industria numër një e Shqipërisë dhe pasuria më e madhe që kemi sot. Ekonomia e vendit pret rreth 6 miliardë euro të hyra nga ky sektor për këtë vit, ndërkohë që turizmi, së bashku me sektorët e ndërlidhur, si transporti, artizanati, etj., punëson mbi 280 mijë qytetarë.
Bashkitë e Himarës dhe Sarandës e kanë të pamundur t’i pastrojnë të vetme plazhet e tyre. Si ato janë dhe shumë bashki të tjera bregdetare apo liqenore. Ushtria mundësoi pastrimin e plazheve dhe brigjeve të vështira për t’u arrirë, si dhe siguroi transportimin me mjetet e ushtrisë të mbetjeve, për në vend-depozitimet e tyre.
Sikurse theksoi ZvKryeministrja dhe Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku, e pranishme në ndërveprimin me ushtrinë, “Ne kemi vendosur sot që të bëjmë një vëzhgim nga deti, pasi numri i shtuar i turistëve sigurisht na sjell një ndotje jo të vogël fizike, përsa i përket plazheve që gjithmonë janë konsideruar plazhe të virgjëra.
Aty po shkojnë shumë vizitorë, tashmë edhe barkat turistike të çertifikuara nga Ministria e Turizmit. Kemi marrë edhe shumë sinjalizime nga qytetarët dhe kjo është e pritshme, pasi rritja e numrit të turistëve na ekspozon edhe përballë dukurive të tilla. I kam kërkuar mbështetje Ministrisë së Mbrojtjes dhe kemi vendosur sot të dalim në një vizitë të hapur, sigurisht të koordinuar edhe me bashkitë e Sarandës dhe të Himarës.
Ministrat Balluku dhe Vëngu inspektojnë vijën bregdetare (Foto Tirana Diplomat)
Në këto momente, ka forca vullnetare në terren që po punojnë për pastrimin, por nga ana tjetër ndihma e ushtrisë në raste ekstreme është zgjidhja e duhur gjithmonë. Ne e konsiderojmë në këto momente të një rëndësie të veçantë ndërhyrjen e ushtrisë, qoftë nga toka, me trupat që mund të ndihmojnë bashkitë, por qoftë dhe nga deti. Ndërkohë që do të duhet, nga çfarë po kuptohet, që pas përfundimit të sezonit turistik veror, të bëjmë një analizë të mirëfilltë të të gjithë situatës, për të nxjerrë mësime nga ky numër i shtuar.
Çdo vit, ne arrijmë që të identifikojmë të tjera pika të dobëta që dalin në sipërfaqe. Sezoni i vitit të kaluar u mbyll me sukses, u mitiguan të gjitha problematikat që u vunë re gjatë atij sezoni.
Ndërkohë, këtë vit ne kemi një numër të shtuar, një numër eksponencial në shtim të vizitorëve për Shqipërinë. Po zbulojmë pika të tjera të dobëta, të cilat nuk kanë qenë shfaqur më parë dhe duhen mitiguar sa më shpjet, brenda këtij sezoni. Ne duhet të jemi të përgatitur për sezonin tjetër”, u shpreh numri 2 i qeverisë shqiptare.
Ushtria do të ndihmoje edhe në të ardhmen, por ajo e ka të vështirë ta marrë vetë inisiativën. Duhet krijuar një strukturë mbikqyrjeje (dy ose tre punonjës bashkish bregdetare, së bashku me një përfaqësues të ushtrisë) ndoshta edhe strukturë ditore në muajt maj-shtator, për plazhet kryesore të Shqipërisë, për të sinjalizuar rastet e grumbullimeve të hedhurinave dhe për të njoftuar bashkitë dhe komandat e ushtrisë dhe të Forcave Detare.
Pastrimi i plazheve me ndihmën e Ushtrisë (Foto A2CNN)
Pastrimi i qëndrueshëm dhe efektiv i plazheve tona nuk mund t’i lihet nismave të veçnta, sado me rëndësi ato të jenë. Eshtë domosdoshmëri që Roja Bregdetare, sidomos në sezon veror, të ketë një koordinim me Njësinë Detare të Policisë Kufitare dhe me bashkitë, për një kontroll të territorit dhe të këtyre plazheve të bukura dhe të vështira për t’u arritur, por edhe shumë të frekuentuara nga vizitorët vendas dhe të huaj.
Ende ndërgjegjësimi i qytetarëve për të mbajtur pastër plazhet e vendit është jo në nivelin e duhur.
Vend tërheqës për të huajt që të të vijnë gjithnjë e të të vizitojnë nuk mund të jesh gjithmonë. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të marrim masa të forta dhe urgjente. ZvKryeministrja dhe Ministri i Mbrojtjes kanë në plan të përgatisin një protokoll bashkëpunimi të Ushtrisë dhe të Policisë së Shtetit me bashkitë e interesuara, për të koordinuar punën për pastrimin e plazheve në bashkitë bregdetare dhe liqenore të vendit.
Fatos Çoçoli