IAEA: Situata në centralin bërthamor të Zaporizhias po përkeqësohet
2024-08-20 15:54:26

Grossi (Foto Oranews)

Grossi (Foto Oranews)

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) bëri të ditur se beson se situata e sigurisë në centralin bërthamor të Zaporizhias në qytetin jugor të Ukrainës, Enerhodar, po përkeqësohet pas një sulmi me dron në afërsi të tij, njofton “ATSH”.

Në një deklaratë të IAEA-së thuhet se ekipi i saj u informua se një eksploziv i transportuar nga një dron kishte shpërthyer jashtë zonës së mbrojtur së centralit.

“Shohim sërish një përshkallëzim të sigurisë bërthamore dhe rreziqeve të sigurisë me të cilat përballet centrali bërthamor i Zaporizhias”,- tha drejtori i përgjithshëm i IAEA-s, Rafael Grossi.

“Jam jashtëzakonisht i shqetësuar dhe përsëris thirrjen time për vetëpërmbajtje maksimale nga të gjitha anët dhe për respektim të rreptë të pesë parimeve konkrete të vendosura për mbrojtjen e centralit. Pavarësisht të gjitha apeleve për vetëpërmbajtje, deri më tani nuk ka pasur asnjë shenjë të zbutjes së sulmeve”,- tha ai.

central bërthamor/CFP

centralin bërthamor të Zaporizhias/CFP

Sipas vëzhguesve, zona përreth centralit ka qenë shumë e sulmuar gjatë javës së kaluar. Ditët e fundit janë raportuar disa herë dëmtime në afërsi të centralit.

“Transportet bërthamore janë projektuar për të qenë elastik ndaj dështimeve teknike ose njerëzore dhe ngjarjeve të jashtme, përfshirë ato ekstreme, por ato nuk janë ndërtuar për t’i bërë ballë një sulmi të drejtpërdrejtë ushtarak, dhe as që supozohet të jenë të tilla. Ky sulm i fundit nxjerr në pah cenueshmërinë e objekteve të tilla në zonat e konfliktit dhe nevojën për të vazhduar monitorimin e situatës së brishtë”, tha Grossi. (Fatosi)