Banka e Shqipërisë njofton për rritje me 30% të volumit të tregtimit të valutës
2024-08-20 15:14:26

Banka e Shqipërisë (Foto Konica.al)

Banka e Shqipërisë (Foto Konica.al)

Banka e Shqipërisë bëri të ditur se rritja vjetore e vëllimeve të tregtimit u përshpejtua në 30% në tremujorin e dytë, nga 16% që ishte në tremujorin e parë të vitit dhe 11.5% vitin që kaloi, njofton “Panorama”.

Besohet se këto shifra janë të lidhura kryesisht me turizmin dhe investimet në tregun e pasurive të paluajtshme nga individë të huaj ose shqiptarë jorezidentë në Shqipëri.

Kursi euro/lek rezultoi mesatarisht 101.5 në muajin prill dhe 100.4 në muajt maj e qershor, nga 104.0 që ishte në dy tremujorët paraardhës.

Objektivi i Bankës së Shqipërisë ka qenë mbajtja e kursit sipër kufirit psikologjik të 100 lekëve. Megjithatë, edhe ky kufi u thye gjatë muajit gusht, sapo Banka Qendrore e liroi kontrollin mbi kursin e këmbimit.

Sipas agjentëve të këmbimit valutor, Banka e Shqipërisë është tërhequr nga ndërhyrjet në tregun valutor këtë muaj dhe kjo ka bërë që euro të bjerë gradualisht poshtë kufirit të 100 lekëve.

Në harkun e pesë viteve të fundit, kursi i këmbimit të euros me lekun ka rënë me afërsisht 18%. Banka e Shqipërisë vlerëson se kjo rënie i detyrohet kryesisht rritjes së shpejtë të sektorit të turizmit dhe rritjes së investimeve të huaja, veçanërisht në pasuri të paluajtshme.

Forcimi i lekut e ndihmoi ekonominë shqiptare të përballonte me pasoja më të zbutura valën inflacioniste të vitit 2022. Gjithashtu, forcimi i lekut në përgjithësi vlerësohet të ketë luajtur një rol pozitiv në stabilitetin financiar, duke rritur aftësinë paguese të huamarrësve në euro, me të ardhura në lekë. Por, nga ana tjetër, leku më i fortë ka dhënë efekte të dukshme negative në sektorët eksportues të ekonomisë.  (Fatosi)