Ukraina krijon administratë ushtarake në Kursk
2024-08-20 18:48:11

Ukraina ka krijuar një administratë ushtarake në territorin e rajonit rus Kursk, deklaroi komandanti i përgjithshëm ukrainas, Oleksandr Syrskyi, njofton “ATSH”.

Foto:VCG

Kursk pas sulmit(Foto:VCG)

“Gjeneralmajor Eduard Moskalev është emëruar shef i zyrës ushtarake. Trupat tanë në grupin e sulmit bënë përparim prej një deri në tri kilometra në vende të ndryshme drejt anës armike. Luftimet vazhdojnë përgjatë gjithë vijës së frontit. Në përgjithësi, situata është nën kontroll”,- thuhet në një deklaratë të Shtabit të Përgjithshëm të Ukrainës.

Sipas shefit ushtarak, luftimet po zhvillohen aktualisht pranë fshatit Malaya Loknya në rrethin Sudzha të rajonit Kursk.

“Besoj se mund të ketë edhe të burgosur atje. Ne do të vazhdojmë të plotësojmë fondin tonë të shkëmbimit të të burgosurve”,- tha ai.

Inkursioni i Ukrainës në rajonin e Kurskut të Rusisë filloi natën e 5-6 gushtit kur forcat ukrainase hynë pranë Sudzhas. Më 12 gusht, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy konfirmoi operacionin, por nuk dha detaje mbi objektivat e tij.

Ministria ruse e Situatave të Emergjencave raportoi se rreth 9500 njerëz janë evakuuar nga zona e luftimit.

Presidenti rus Vladimir Putin e dënoi inkursionin duke e quajtur atë sulm terrorist. (Fatosi)