Gjadri (Foto Konica.al)
Kampi i pritjes së emigrantëve në Shqipëri është gati që t’i dorëzohet kontingjentit të parë të Forcave të Policisë italiane, shkruan “Panorama”.
Ata do të garantojnë sigurinë në qendrat e ngritura në Gjadër e Shëngjin. Efektivëve të policisë italiane u është dorëzuar mes të tjerave edhe një listë me këshilla se si duhet të sillen në Shqipëri në përputhje me traditat e vendësve.
Zona e pritjes së emigrantëve është vendosur brenda portit të Shëngjinit në një hapësirë prej 4 mijë metrash. Ndërsa në Gjadër, rreth 30 kilometra larg Shëngjinit do të përpunohen të gjitha kërkesat për azil.
Emigrantëve të cilëve do t’u refuzohet kjo kërkesë, do të riatdhesohen.
Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët u nënshkrua në nëntor 2023 dhe më pas u ratifikua nga Parlamentet e të dy vendeve. Në Shqipëri u aprovua edhe nga Gjykata Kushtetuese pas një ankese nga opozita.
Sipas marrëveshjes, në kampin e pritjes së emigrantëve në Shqipëri do të qëndrojnë gjatë një viti jo më shumë se 3 mijë emigrantë të paligjshëm që do të kapen në ujërat ndërkombëtare nga autoritetet italiane.
Agjencia për Refugjatët e Kombeve të Bashkuara (UNHCR) do të monitorojë gjatë tre muajve të parë zbatimin e marrëveshjes italo-shqiptare. (Fatosi)