Në një konferencë shtypi të organizuar të martën nga Zyra e Shtypit e Këshillit të Shtetit të Kinës, zyrtari përkatës i Ministrisë së Tregtisë të Kinës u shpreh se Samiti i Forumit të Bashkëpunimit Kinë-Afrikë për vitin 2024 do të mbahet në Pekin nga 4 deri më 6 shtator. Vitet e fundit, bashkëpunimi kino-afrikan ka pasur rezultate frytdhënëse, duke u sjellë përfitime popujve të të dy palëve.
Në vitin 2021 Kina dhe Afrika nisën "9 projektet", plani i parë 3-vjeçar i përcaktuar në "Vizionin e bashkëpunimit Kinë-Afrikë 2035". Gjatë këtyre tre vjetëve, bashkëpunimi dypalësh në fushën e tregtisë e të investimeve është zhvilluar me qëndrueshmëri. Janë vënë në përdorim e në prodhim shumë projekte të infrastrukturës dhe të industrisë prodhuese, si porti Lekki i Nigerisë, autostrada e aeroportit ndërkombëtar të Najrobit në Kenia, centrali i energjisë fotovoltaike në Afrikën e Jugut, fabrika e pajisjeve elektro-shtëpiake në Egjipt etj. Kina ka dërguar mbi 500 ekspertë bujqësorë në Afrikë dhe ka përgatitur rreth 9000 talente afrikane për të mbështetur modernizimin bujqësor të kontinentit.
Ndihmësministri i Tregtisë i Kinës Tang Wenhong u shpreh në konferencën e shtypit se Kina ka ruajtur pozicionin e partneres më të madhe tregtare të Afrikës për 15 vjet me radhë. Me nxitjen e zhvillimit të gjelbër, të inovacionit digjital etj., sipërmarrjet kineze kanë zbatuar një sërë projektesh të energjisë së pastër në Afrikë dhe eksportet e baterive të litiumit, të produkteve fotovoltaike etj. nga Kina në Afrikë janë shtuar dukshëm. Krahas këtyre, Kina dhe vendet afrikane kanë ndërtuar mbi 10 laboratorë të përbashkët ose qendra të përbashkëta kërkimore, duke zhvilluar studime të përbashkëta për gjurmimin e burimeve në largësi, energjinë e përtëritshme, ekobujqësinë etj. (Fani)