Foto Oranews
Greqia njoftoi se do të heqë pjesërisht një ndalim për transportin e deleve dhe dhive, që vendosi muajin e kaluar pas zbulimit të murtajës së dhive në vend, njofton “Panorama”.
Murtaja e dhive u zbulua në korrik për herë të parë në Greqi. Virusi nuk infekton njerëzit, por është shumë ngjitës midis dhive dhe deleve dhe mund të vrasë deri në 70% të të infektuarve.
“Lëvizja e kafshëve për therje do të lejohet në njësitë rajonale që nuk janë prekur nga murtaja e dhive”,- thuhet në një deklaratë të Ministrisë greke të Bujqësisë.
Më shumë se njëzet ferma në Greqi janë infektuar, kryesisht në qendër të vendit, dhe mijëra kafshë janë asgjësuar në javët e mëparshme.
Pasi zbulohet një rast, e gjithë tufa asgjësohet, në përputhje me protokollet e vendosura nga Bashkimi Europian. (Fatosi)