Gaza
Organizata militante palestineze, Hamas, ka hedhur poshtë propozimet e bëra në raundin e fundit të negociatave indirekte me Izraelin për një armëpushim në luftën e Gazës, njofton “ATSH”.
Në një deklaratë të publikuar të dielën, Hamasi bëri të ditur se duke dëgjuar nga ndërmjetësit atë që u diskutua në raundin e fundit të bisedimeve në Doha, ata ishin të bindur se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, vazhdon të vendosë pengesa në rrugën e një marrëveshjeje.
Kjo ishte deklarata e parë e Hamasit që nga raundi i fundit i bisedimeve, i cili u zhvillua të enjten dhe të premten në kryeqytetin e Katarit, Doha.
Hamasi nuk mori pjesë dhe për këtë arsye ndërmjetësuesit e informuan për rezultatet.
Izraeli dhe Hamasi deri më tani kanë negociuar vetëm në mënyrë indirekte.
Hamasi akuzoi gjithashtu se Netanyahu do të vendoste kushte dhe kërkesa të reja për të minuar përpjekjet e ndërmjetësve dhe për të zgjatur luftën.
Egjipti, Katari dhe SHBA-ja po ndërmjetësojnë në bisedimet, të cilat synojnë gjithashtu të çojnë në lirimin e pengjeve izraelitë të mbajtur nga Hamasi. (Fatosi)