Fadil Vathi ne interviste per CMG
Fadil Vathi ka kryer detyra të ndryshme në institucionet shqiptare derisa ka mbushur moshën e pensionit. Prej vitesh ai jeton në Greqi me fëmijët dhe bashkëshorten, të cilët kanë emigruar në shtetin fqinj pas viteve 90-të. Fadili është autokton tiranas dhe shprehet se mendjen dhe shpirtin e ka në vendlindje, por që për të qenë pranë familjes së tij të dashur, ju desh të largohet nga vendi. Ai vjen shpesh të vizitojë Tiranën, ku çdo herë që vjen shikon ndryshime të mëdha. Pjesën më të madhe të kohës në Athinë e kalon me mbesën dhe nipin e tij, të cilët i japin ngrohtësi dhe dashuri të madhe. Në një intervistë për Radio Ejani ai tregon për jetën e tij në Greqi dhe mallin që ka për vendlindjen.
Fadil Vathi (Foto personale)
CMG: Sa vite keni që jeni larguar nga vendi për të jetuar në Greqi?
Fadil Vathi: Unë nuk kam shumë vite që jetoj në Greqi, kurse familja ime, bashkëshortja me dy fëmijët kanë ikur në vitin 1991 atje. Ndërsa unë shkoja me periudha të shkurtëra, një javë ose një muaj dhe kthehesha në Shqipëri, sepse kam patur punë të mirë në Tiranë.
CMG: Ndërkohë vitet e fundit jeni bashkuar me familjen dhe jetoni prej disa vitesh në Athinë.
Fadil Vathi: Kam gati pesë vjet që jetoj bashkë me familjen në Athinë.
CMG: Ka qenë i lehtë ambjentimi me jetën në Greqi?
Fadil Vathi: Greqia është vendlindja e vjehrrës time dhe jemi afruar më shumë, por kam dhe dy fëmijët atje dhe u ambjentova lehtë me jetën në Greqi. Gjithësesi mendjen dhe shpirtin e kam në Shqipëri.
Fadil Vathi me bashkeshorten (Foto personale)
CMG: Si ndjehen fëmihët tuaj prej kaq vitesh që jetojnë e punojnë në Greqi?
Fadil Vathi: Fëmijët e mi kanë ikur të vegjël atje, kanë marrë kulturën dhe zakonet e Greqisë. Ata janë mikpritës dhe të dashur, por mbi të gjitha janë punëtorë dhe të ndershëm.
CMG: Besoj se kohën më të madhe tani që jeni në pension e kaloni me nipin dhe mbesën?
Fadil Vathi: Mbesën dhe nipin i kam pikë të dobët. Mbesa quhet Elisabeta, është vajzë e zgjuar dhe e mirë. Ajo fitoi dhe konkursin për të filluar shkollën në Athinë, në atë shkollë në 1000 persona zgjidhen vetëm 100. Është vajzë e mirë dhe për moshën e saj është shumë e zgjuar. Ndërsa nipi është ai që më ka mësuar rrugët e Athinës dhe e dua shumë.
Fadil Vathi. (Foto personale)
CMG: Cila është ndjesia që përjetoni kur ktheheni për të vizituar Tiranën?
Fadil Vathi: Unë Tiranën e kam pikë të dobët, sepse kam jetuar dhe punuar, kam gjetur ngrohtësinë dhe kam gjithë shoqërinë time në Tiranë, kam vëllezërit dhe motrat, por kur je pranë fëmijëve, për momentin sikur distancohesh nga Tirana.
CMG: Kanë qenë fëmijët arsyeja që u larguat nga Tirana për të jetuar në Greqi?
Fadil Vathi: Arsyeja që shkova në Greqi janë fëmijët dhe bashkëshortja. Të gjithë kanë pasaporta greke dhe janë të privilegjuar atje.
CMG: Si e kujtoni kohën kur keni punuar në Shqipëri?
Fadil Vathi: Unë në Shqipëri kam qenë me punë shumë të mirë, kam punuar si kryetar i degës së kontrollit të transportit të Tiranës, në Bashkinë e Tiranës. Gjithashtu prej disa vitesh kam punuar te spitali i burgut, në pozicionin e përgjegjësit të prapavijës. Kur dola në pension u largova nga vendi. Kam nostalgji për të dyja vendet, kur jam në Greqi kërkoj të vij në Shqipëri dhe anasjelltas.
Fadili me bashkeshorten dhe femijet (Foto personale)
CMG: Sa herë në vit e vizitoni Shqipërinë?
Fadil Vathi: Unë vij në Shqipëri 3-4 herë në vit, sipas mundësive që kam.
CMG: Çfarë juë pëlqen më tepër nga Athina?
Fadil Vathi: Mendoj se Tirana është bërë e bukur dhe ja kalon Athinës, por dhe Athina më pëlqen sepse është qytet i pastër dhe i qetë.
CMG: Keni planifikuar pushime me familjen këtë vit?
Fadil Vathi: Kam planifikuar pushime me familjen në një ishull të Greqisë dhe është hera e tretë që shkojmë në të njëjtin vend sepse është vertetë shumë bukur.
Fadil Vathi ne zyre (Foto personale)
CMG: Flasin shqip nipi dhe mbesa juaj?
Fadil Vathi: Mbesa flet anglisht, kurse gjuhën greke e njeh në mënyrë perfekte. Gjuhën shqipe e flet gjithashtu shumë mirë. Nipi flet shumë mirë shqip dhe kur më thërret mua gjyshi, flet shqip.
CMG: Kur vijnë në Tiranë nipi dhe mbesa çfarë përshtypjesh kanë?
Fadil Vathi: Ata e pëlqejnë Tiranën, sepse Tirana po ndryshon çdo ditë dhe më thonë se nëse rri unë këtu kanë qejf të rrinë me mua. Na pëlqen Tirana të gjithëve si familje.
CMG: Mbani kontakte me miq dhe ish kolegë të punës tani që jeton jashtë?
Fadil Vathi: Sapo e marrin vesh personeli i punës që kam ardhur në Tiranë, shkojmë për të pirë kafe ose për drekë. Ata më duan shumë dhe mbajmë gjithmonë kontakte.
CMG: Si është një ditë e zakonshme e juaja në Athinë?
Fadil Vathi: Tashmë jam integruar me jetesën në Athinë, më shumë kohë kaloj me nipin e mbesën dhe dal me të dy shëtitje në qytet.
Mbesa e Fadilit (Foto personale)
CMG: Si ju duk Tirana këtë herë?
Fadil Vathi: Mua më duket sa herë vij, që Tirana ndryshon shumë shpejt, ka marrë pamjen e një qyteti perëndimor. Megjithatë unë jam me origjinë të vjetër tiranase dhe më pëlqen Tirana sidoqë të jetë. Unë ndjehem më mirë kur jam në Tiranë, sepse është vendlindja ime.
CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.
Fadil Vathi: Përshëndes familjen time, vajzën, djalin dhe bashkëshorten. Gjithashtu përshëndes motrat e mia dhe vëllain në Itali, si dhe të gjithë miqtë e mi.
Intervistoi: Gazmend Agaj