Foto nga CFP
Numri i vizitorëve të huaj në Kinë në shtatë muajt e parë të këtij viti u rrit 129.9 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur në 17.25 milionë, në saje të një sërë masash që lehtësojnë hyrjen e të huajve, tha të hënën Administrata Kombëtare e Imigracionit (NIA).
Vizitorët e huaj vlerësohet që e kanë rritur konsumin me mbi 100 miliardë juanë (rreth 14 miliardë dollarë) gjithsej, me një vëllim të përditshëm mesatar konsumi për frymë rreth 3 500 juanë, njoftoi në një konferencë shtypi Liu Haitao, zëvendëskreu i NIA-s.
Gjatë periudhës shtatëmujore, 846 000 viza në kufi u dhanë për shtetasit e huaj që kishin nevojë urgjente për të hyrë në Kinë por nuk kishin kohë të mjaftueshme për të aplikuar për vizë në ambasadat apo konsullatat kineze jashtë vendit, 183 për qind më shumë se vjet, bëri të ditur Liu.
Lidhur me vizat në pikat kufitare, NIA tha se shtetasit e huaj mund t'ua paraqesin kërkesat paraprakisht autoriteteve kufitare të vizave vetë ose nëpërmjet palës që i ka ftuar, apo të aplikojnë në vend me të mbërritur në pikën kufitare në Kinë.
Nga janari në korrik, Kina regjistroi 341 milionë udhëtime ndërkufitare, 62.34 për qind më shumë se gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar, shtoi Liu.