Kroacia rikthen shërbimin e detyrueshëm ushtarak
2024-08-19 12:47:51

Foto nga VCG

Tensionet në rritje në Europë dhe gara e armatimeve, po shtyjnë Zagrebin të forcojë kontigjentin e tij ushtarak, shkruan rtsh.al. Bëhet fjalë për një “mini-rekrutim” dy muajsh, duke filluar nga janari i vitit 2025. Kështu ka bërë të ditur ministri i kroat i mbrojtjes Ivan Anusiç. “Do të zgjasë dy muaj, do të fillojë më 1 janar 2025 dhe ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që kemi komunikuar me publikun”, tha ministri Ivan Anusic, për televizionin RTL.

Masa vjen në mes të tensionit të rritur në Europë, pas agresionit rus në Ukrainë, si dhe një gare të dukshme armatimi dhe ngritje ushtarake në Ballkan. Vendimi shënon rikthimin në rekrutim, i pezulluar në vitin 2008 kur vendi kaloi në një sistem të bazuar në vullnetarizëm. Serbia, rivalja kryesore e Kroacisë në Ballkan, po shqyrton gjithashtu riaktivizimin e shërbimit ushtarak.

Edhe vende të tjera evropiane po shqyrtojnë masa të ngjashme, ose kanë rikthyer shërbimin e detyrueshëm ushtarak në përgjigje të tensioneve të rritura rajonale. Vitin e kaluar, Letonia rivendosi draftin ushtarak në përgjigje të kërcënimit të paraqitur nga pushtimi në shkallë të gjerë i Ukrainës, nga Rusia. (Fatosi)