Kina është vendi më i madh në zhvillim dhe Afrika është kontinenti ku gjenden më shumë vende në zhvillim. Bashkëpunimi midis të dy palëve përmban elemente të theksuara përplotësuese. Vitet e fundit, Kina dhe Afrika kanë punuar së bashku dhe e kanë ndihmuar njëra-tjetrën, duke përparuar në një rrugë zhvillimi të përbashkët.
Hekurudha e ndërtuar nga kompanitë kineze, port Mombasa, Kenia( Foto:VCG)
Brenda kornizës së Forumit për Bashkëpunimin Kinë-Afrikë, integrimi i strategjive reciproke dhe zbatimi i "Dhjetë planeve të bashkëpunimit", i "Tetë veprimeve" dhe i "Nëntë projekteve", po hedhin bazë të shëndoshë për zhvillimin e qëndrueshëm të këtyre marrëdhënieve.
Një studim i publikuar nga Konsorciumi i Infrastrukturës për Afrikën tregon se infrastruktura e pamjaftueshme si rrugët, hekurudhat dhe portet e ka rritur me 30 % - 40 % koston e transportit të mallrave mes vendeve afrikane
Si të gjallërohet energjia e zhvillimit të kontinentit afrikan? Përgjigjja e Kinës është krijimi i ndërlidhshmërisë infrastrukturore. Vitet e fundit, grupe të shumta inxhinierësh kinezë kanë vajtur në Afrikë me teknologji të përparuar e përvojë të pasur, duke kontribuuar aktivisht në përmirësimin e kushteve infrastrukturore vendore nëpërmjet ndërtimit të rrugëve, urave, porteve, hekurudhave etj. Të dhënat statistikore tregojnë se, deri në tetorin e vjetshëm, kompanitë kineze kanë ndërtuar më shumë se 10 000 kilometra hekurudha, afro 100 000 kilometra rrugë, gati një mijë ura, afro njëqind porte dhe një numër të madh spitalesh e shkollash në Afrikë. Ndërsa rriten të ardhurat e banorëve vendorë, nxitet edhe zhvillimi ekonomiko-shoqëror në Afrikë.
Panairi i investimeve Kinë-Afrikë(Foto:VCG)
Mungesa e energjisë është një tjetër pengesë që kufizon zhvillimin e vendeve afrikane. Të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se në vitin 2019, vetëm 46.7 % e popullsisë në Afrikën Jugsahariane furnizohej me energji elektrike. Por Afrika ka mundësi të mëdha për shfrytëzimin e energjisë së përtëritshme. Një raport nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë tregon se Afrika ka 60 % të burimeve të energjisë diellore të gjithë botës dhe sasi të konsiderueshme të energjisë së erës, gjeotermale dhe ujore.
Krahas thellimit të bashkëpunimit lidhur me energjinë e gjelbër, në Afrikë po shtohen shpejt edhe centralet e energjisë fotovoltaike e të erës dhe hidrocentralet me ndihmat e palës kineze.
Në Marok, centralet diellore "Noor" të ndërtuara nga ndërmarrjet kineze po ofrojnë energji të pastër për më shumë se 1 milion familje, duke ndryshuar plotësisht varësinë afatgjatë të këtij vendi nga importi i energjisë elektrike. Në Afrikën e Jugut, projekti i energjisë së erës "De Aar", me investim dhe i ndërtuar nga kompanitë kineze, prodhon çdo vit 760 milionë kilovatorë energji elektrike të qëndrueshme e të pastër, duke plotësuar nevojat e 300 000 banorëve dhe duke pakësuar lëshimin e 619 900 tonëve karbon. Në Ugandë, hidrocentrali "Karuma", i ndërtuar edhe ai nga kompanitë kineze, e ka rritur me gati 50 % kapacitetin e përgjithshëm të prodhimit të energjisë elektrike të vendit, duke kursyer 1.31 milion tonë qymyr çdo vit dhe duke e ulur me 3.48 milionë tonë lëshimin e karbonit, gjë që është e barabartë me mbjelljen e 1.5 milion pemëve ...
Banorë vendorë punojnë në një fabrikë kineze të prodhimit të celularit, Kampala, Ugandë(Foto:VCG)
Vitet e fundit, më shumë se 100 projekte të energjisë së gjelbër të ndërtuara në kuadër të Forumit për Bashkëpunimin Kinë-Afrikë kanë përmirësuar kushtet e jetesës së banorëve. Tani, kur nata bie në verën e nxehtë, fëmijët në shumë fshatra të largëta afrikane mund të lexojnë nën dritën elektrike dhe klinikat mund të përdorin aparatura elektrike për t'u kujdesur për pacientët. Projektet e energjisë së gjelbër kanë ndriçuar mijëra shtëpi në kontinentin afrikan dhe gjithashtu kanë ndriçuar rrugën e Afrikës drejt zhvillimit të qëndrueshëm.
Në të njëjtën kohë, krahas lehtësimit të tregtisë, lulet nga Kenia, vajrat esenciale nga Madagaskari, gurët e çmuar nga Zambia, kafja nga Etiopia, vera nga Afrika e Jugut, kozmetika nga Senegali.... gjithnjë e më shumë produkte speciale afrikane po mirëpriten në tregun kinez. Vjet, arrat, perimet, lulet dhe frutat nga Afrika që u importuan prej Kinës u rritën përkatësisht me 130 %, 32 %, 14 % dhe 7 %. Përveç ekspozitave shumëpalëshe, si Ekspozita Ndërkombëtare e Importit e Kinës dhe Ekspozita Ndërkombëtare e Mallrave të Konsumit, pala kineze ka krijuar gjithashtu platforma të tilla, si Ekspozita Ekonomike dhe Tregtare Kinë-Afrikë posaçërisht për vendet afrikane, gjë që ka rritur ekspozimin e produkteve afrikane në tregun kinez. Gjithashtu, ndërsa produktet bujqësore dhe burimet minerare nga Afrika po futen vazhdimisht në Kinë, teknologji dhe forma të reja biznesi nga Kina në fusha si logjistika, ekonomia digjitale, energjia e pastër, shëndetësia, zhvillimi i gjelbër dhe financat po paraqiten në Afrikë.
Të dhënat tregojnë se Kina ka ruajtur statusin e saj si partnerja më e madhe tregtare e Afrikës për 15 vjet radhazi. Vjet, vëllimi i përgjithshëm i tregisë dypalëshe arriti në 282.1 miliardë dollarë amerikanë. Deri në fund të vitit 2022, totali i investimeve kineze në Afrikë i kaloi 40 miliardë dollarë amerikanë. Kompanitë kineze kanë nënshkruar në Afrikë kontrata inxhinierike me vlerë prej më shumë se 700 miliardë dollarësh amerikanë, duke ndërtuar një sërë veprash në bujqësi, transport, burime natyrore, energji elektrike, strehim dhe mirëqenien e banorëve etj.
Kompani kineze marrin pjesë në ndërtimin e portit Kribi, Kamerun(Foto:VCG)
Siç thotë edhe një fjalë e urtë kineze, Kina jo vetëm "u jep të tjerëve peshq", por edhe "u mëson si të peshkojnë". Kina ka nënshkruar një sërë marrëveshjesh me bashkëpunëtorët afrikanë, duke krijuar punishte, duke organizuar kurse trajnimi dhe duke i drejtuar të rinjtë afrikanë në terren, për t'i bërë një forcë të re në zhvillimin e vendeve të tyre.
Sipas një analize të publikuar në uebsajtin e gazetës egjiptiane "Zëri i Kombit", bashkëpunimi i Afrikës me Kinën bazohet në barazinë dhe dëshirën e përbashkët. Ky lloj bashkëpunimi nuk ndjek rrugën e fuqive perëndimore, nuk dëmton interesat afatgjatë të Afrikës, nuk ndërhyn në punët e brendshme të Afrikës, nuk imponon vullnetin e një pale dhe nuk ka kushte politike paraprake. Rezultatet e frytshme janë pikërisht vërtetim i suksesit të marrëdhënieve të tilla. Tani, Jugu Global po zhvillohet shpejt me Kinën dhe Afrikën si përfaqësuese, gjë që do të sjellë ndryshime të mëdha në procesin e historisë.