Norvegjia po mbyll përfaqësimin e saj në Bregun Perëndimor pasi Izraeli revokoi statusin e diplomatëve norvegjezë përgjegjës për territoret palestineze, shkroi sot ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz në X.
Foto:VCG
“Pas vendimit të Oslos – ne do të veprojmë kundër atyre që veprojnë kundër nesh”, tha Katz.
Vendimi vjen pasi Norvegjia, Spanja dhe Irlanda vendosën të njohin shtetësinë palestineze në maj. Izraeli tha se tetë diplomatët norvegjezë, të cilëve iu revokua statusi – dhe të vendosur në ambasadën norvegjeze në Izrael – ishin përgjegjës për kontaktet me Autoritetin Palestinez.
“Si rezultat i vendimit të qeverisë izraelite – për të mos lehtësuar më përfaqësimin e Norvegjisë në Autoritetin Palestinez – Zyra jonë Përfaqësuese në Al Ram në Palestinë duhet të mbyllet duke nisur nga sot”, tha të premten qeveria norvegjeze në një deklaratë.
Ministri i Jashtëm norvegjez Espen Barth Eide kritikoi vendimin e Izraelit si “ekstrem dhe të paarsyeshëm”.
“Ky vendim synon të shënjestrojë palestinezët dhe Autoritetin Palestinez dhe të gjithë ata që mbrojnë të drejtën ndërkombëtare, zgjidhjen me dy shtete dhe të drejtën legjitime të palestinezëve për vetëvendosje”, tha ai.
Përfaqësia norvegjeze në Al-Ram në Bregun Perëndimor, në funksion prej rreth 30 vitesh, do të qëndrojë e mbyllur deri në një njoftim të dytë. Katz tha se vendimi i Izraelit ishte për shkak të “njohjes së shtetit të Hamasit palestinez pas masakrës së 7 tetorit – dhe mbështetjes së Norvegjisë për lëshimin e urdhërarresteve kundër kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe përfaqësuesve të tjerë të lartë izraelitë.
Autoriteti Palestinez u krijua në bazë të Marrëveshjes së Oslos, të cilën Izraeli dhe palestinezët e nënshkruan në vitin 1993 – pas bisedimeve sekrete në kryeqytetin norvegjez. Vendi skandinav ka luajtur që atëherë një rol të rëndësishëm në rajon. (Fatosi)