Strategji e re kombëtare kundër pastrimit të parave
2024-08-19 10:38:36

Pastrimi i parave (Foto TV scan)

Pastrimi i parave (Foto TV scan)

Zv/Kryeministrja Belinda Balluku tha  se dokumenti i “Strategjisë kombëtare për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit 2024 -2030” përmes “Planit të Veprimit” adreson gjashtë objektiva madhorë, që lidhen me pastrimin e parave. Sipas saj, miratimi i këtij plani strategjik i jep Shqipërisë mundësi të aksesojë në 1.5 milionë euro në formë granti nga BE, në kuadër të planit të rritjes”

“Ky takim i komitetit është shumë i rëndësishëm jo vetëm për rolin koordinues të politikave shtetërore në luftën për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit në Shqipëri, por edhe në monitorimin e zbatimit të strategjive, politikave, masave dhe rekomandimeve të hartuara në planin kombëtar dhe të miratuara në kuadër të vlerësimeve nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Sipas agjendës mbledhja e sotme do të ketë në vëmendje disa pika: e para është miratimi i strategjisë kombëtare për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e  terrorizmit 2024-2030 dhe plani i veprimit. Pika e dytë, raportimi nga drejtori i agjencisë dhe inteligjencës financiare në procesin e hartimit të strategjisë në kuadër të planit të rritjes për Ballkanin perëndimor, aktivitetet e zhvilluara nga grupi teknik ndërinstitucional i punës, ecurinë e procesit parapërgatitor për vlerësimin e Shqipërisë nga komiteti Moneyval në kuadër të raundit të 6 të vlerësimit 2025-2026.”-tha Balluku.

Në fjalën e saj Zv/Kryeministrja Belinda Balluku tha se dokumenti është hartuar në bashkëpunim me sektorin privat dhe është gjithëpërfshirës.

Zv.Kryeministrja Belinda Balluku (Foto Tirana Diplomat)

Zv.Kryeministrja Belinda Balluku (Foto Tirana Diplomat)

“ Strategjia kombëtare për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit 2024-2030 dhe plani i veprimit janë dokumente shumë të rëndësishme të cilat sipas informacionit të vënë në dispozicion nga sekretariati i komitetit janë hartuar dhe konsultuar nëpërmjet një plani gjithëpërfshirës. Në hartimin e Strategjisë, një vëmendje të veçantë i është dhënë bashkëpunimit të ngushtë me sektorin privat, si bankat, noterët, audituesit, ndërmjetësuesit, zyrat e këmbimit valutor, shoqatat e ndërtuesve, të cilët janë angazhuar plotësisht në procesin e hartimit të këtij dokumenti dhe konsultimit të kësaj strategjie në publik. Vlen të theksohet se përfaqësuesit e sektorit privat janë anëtarë të Grupit Teknik Ndërinstitucional të Punës, i cili është ngritur me vendim të këtij Komiteti në Dhjetor të vitit 2023 dhe është një dëshmi e rëndësisë që i kemi dhënë forcimit të partneritetit me sektorin privat, duke u bërë një nga vendet e para në rajon dhe më gjerë padyshim që ka konsoliduar këtë formë partneriteti.”

Balluku tha se Dokumenti i Strategjisë është përqendruar në 6 objektiva madhore të cilat do të përmbushen nëpërmjet masave të detajuara të Planit të Veprimit që shoqëron këtë strategji.

“Gjithashtu do të doja veçanërisht do të doja të sillja në vëmendjen tuaj  se miratimi i Strategjisë është një nga masat që duhet të përmbushim në kuadër të agjendës së Reformave si pjesë e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Miratimi i kësaj Strategjie do të sjellë përfitimin padyshim për Shqipërinë me vlerë modeste, por që është domethënëse pasi konsolidon procesin. Është një grant prej 1.5 milionë euro të cilat akordohen në kuadër të Planit të Rritjes. Gjatë mbledhjes së fundit të komitetit miratuam vlerësimin kombëtar të riskut dhe planit të veprimit dhe ndërkohë që në mbledhjen e sotme është parashikuar që të vlerësojmë raportin e realizimit për 6 mujorin e parë të këtij plani. Në zbatim të detyrave të lëna nga Komiteti, është i nevojshëm angazhimi i vazhdueshëm i institucioneve që ju drejtoni për realizimin e planeve të veprimit që janë pjesë e vlerësimit të MONEYVAL dhe të vlerësimit nga Komisioni Evropian, por edhe sigurisht për përfitimin e grantit i cili na akordohet në kuadër të planit të rritjes.”

Nga ana tjetër, duke qenë se Shqipëria do t’i nënshtrohet procesit të vlerësimit nga Komiteti MONEYVAL gjatë vitit 2025-2026, puna parapërgatitore që po ndërmerret nga të gjitha institucionet do të shërbejë për të mundësuar marrjen e një vlerësimi pozitiv.

Pastrimi i parave ( Foto Bold news)

Pastrimi i parave ( Foto Bold news)

“ Është me rëndësi të veçantë që gjithë institucionet që ju drejtoni të angazhohen me përkushtim maksimal për të përmbushur gjitha kërkesat në mënyrë që vlerësimi i radhës së MONEYVAL për Shqipërinë të ruajë trendin pozitiv të vlerësimit që tashmë e kemi konsoliduar. Masat për të cilat kërkohet vëmendje  në veçanti janë: Angazhimi i stafeve me njohuri të fushës, për t’ju përgjigjur në kohë kërkesave të ekspertëve vlerësues. Në këtë kontekst, qëndrueshmëria e stafit është gjithashtu një aspekt i rëndësishëm që duhet të mbahet në konsideratë nga të gjithë drejtuesit, evidentimi me qartësi i nevojave buxhetore për ngritjen e sistemeve dhe rritjen e kapaciteteve institucionale, në mënyrë që t’i adresojmë në kohë, në koordinim edhe me partnerët ndërkombëtarë.”