Kryeministri Li bën thirrje për nxitjen e bashkëpunimit Kinë-Fixhi, gjatë bisedimeve me Kryeministrin e Fixhit
2024-08-19 10:55:17

Foto nga VCG

Kina është e gatshme të punojë me Fixhin, për ta çuar bashkëpunimin praktik mes dy vendeve drejt një niveli të ri, si edhe për të promovuar zhvillimin e përbashkët, tha të dielën Kryeministri i Kinës Li Qiang, teksa u takua në Pekin me Kryeministrin e Fixhit Sitiveni Rabuka.

Duke theksuar që Fixhi është vendi i parë ishullor i Paqësorit që ka krijuar lidhje diplomatike me Kinën, Li tha se pala kineze e konsideron atë si një nga partnerët më të rëndësishëm në rajonin e Paqësorit Jugor. Li u bëri thirrje të dyja palëve që të shfrytëzojnë më tej avantazhet e tyre plotësuese dhe të thellojnë bashkëpunimin në fusha si infrastruktura, bujqësia, peshkimi, industria e lehtë, arsimi, turizmi dhe ulja e varfërisë në kuadër të nismës Një Brez një Rrugë.

Kina është e gatshme të importojë më shumë produkte cilësore nga Fixhi dhe të mbështesë kompanitë kineze për të investuar dhe krijuar biznese në Fixhi, tha ai. 

Duke qenë se të dy vendet janë anëtare të Jugut Global, kryeministri kinez tha se Kina mbështet ishujt e Paqësorit në zbatimin e Strategjisë 2050 për Kontinentin Blu të Paqësorit, duke bërë thirrje për mbrojtjen e një bote të barabartë dhe shumëpolare, si edhe për një globalizim ekonomik gjithëpërfshirës, nga i cili përfitojnë të gjithë. 

Nga ana e tij, Rabuka tha se pala fixhiane e konsideron gjithmonë Kinën si një partner të besueshëm dhe e falënderon atë për ndihmën vetëmohuese ndaj Fixhit në kohë të vështira.

Fixhi i përmbahet në mënyrë të vendosur parimit të një Kine, mbështet nismën 'Një Brez një Rrugë' dhe një sërë iniciativash të rëndësishme të propozuara nga Kina, tha ai. Gjithashtu shprehu gatishmërinë për të thelluar më tej bashkëpunimin në fusha si ekonomia, tregtia, infrastruktura, turizmi dhe hapjen e perspektivave më të gjera për partneritet mes dy vendeve.

Pas takimit, Li dhe Rabuka dëshmuan nënshkrimin e disa dokumenteve të bashkëpunimit dypalësh në fusha si tregtia dhe infrastruktura.