To Lam, Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Vietnamit dhe President i vendit, mbërriti të dielën në Guangzhou të Kinës Jugore për një vizitë shtetërore tre ditore.
To Lam, Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Vietnamit dhe President i vendit(Foto:VCG)
Kina është vendi i parë që ai viziton pas zgjedhjes si Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë më 3 gusht. Ai ka shërbyer si President i Vietnamit që nga maji i këtij viti.
Gjatë vizitës së tij, Lam do të zhvillojë bisedime me Xi Jinping, Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës dhe President i vendit.
Kreu i shtetit të Vietnamit do të takohet gjithashtu edhe me Kryeministrin e Kinës Li Qiang, Ligjvënësin më të lartë Zhao Leji dhe Këshilltarin kryesor Politik Wang Huning.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Kinës bëri të ditur të enjten e kaluar, se Kina është vendi i parë që Lam viziton pas marrjes së detyrës së re, gjë që flet për rëndësinë e madhe që lideri vietnamez u kushton marrëdhënieve mes dy partive dhe dy vendeve.
Kina është e gatshme ta çojë përpara miqësinë tradicionale, të thellojë ndërtimin e një komuniteti me fate të përbashkëta Kinë-Vietnam dhe të punojë me palën vietnameze për të arritur sukses në rrugët përkatëse socialiste drejt modernizimit me karakteristikat e veta, duke nxitur përparimin e çështjes globale socialiste dhe duke kontribuuar për paqen, qëndrueshmërinë, zhvillimin rajonal dhe global, tha zëdhënësi.
Presidenti i Kinës Xi Jinping zhvilloi një vizitë shtetërore në Vietnam dhjetorin e kaluar, kur palët njoftuan ndërtimin e një komuniteti me fate të përbashkëta Kinë-Vietnam me rëndësi strategjike.
Foto:VCG
Gjatë takimit në qershor me Kryeministrin e Vietnamit Pham Minh Chinh në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin, Xi tha se gjatë gjysmëvitit të fundit, të dyja palët kanë pasur shkëmbime të ngushta mes zyrtarëve të lartë dhe bashkëpunime të mbara në fusha të ndryshme, duke sjellë përfitime konkrete për dy popujt.
Xi shtoi se Kina është e gatshme të bashkojë duart me Vietnamin për të marshuar drejt modernizimit dhe për të dhënë kontribut më të madh për paqen, qëndrueshmërinë, zhvillimin dhe lulëzimin botëror.
Gjatë takimit të qershorit, presidenti kinez u bëri thirrje të dy vendeve të mbajnë shkëmbime të nivelit të lartë, të promovojnë bashkërisht bashkëpunimin cilësor brenda nismës "Një brez, një rrugë", të shtojnë lidhjet dhe të nxisin zhvillimin me cilësi të lartë të bashkëpunimit praktik.
Kina është e gatshme të inkurajojë më shumë kompani kineze për të rritur investimet në Vietnam. Ajo shpreson se Vietnami mund të sigurojë një mjedis biznesi të drejtë, të barabartë dhe jodiskriminues për sipërmarrjet kineze, tha Xi.
Konsumatorë kinezë blejnë kafe të prodhuar në Vietnam(Foto:VCG)
Trena të mallrave ndërmjet Kinës dhe Vietnamit(Foto:VCG)
Kina është partnerja kryesore tregtare e Vietnamit prej shumë vitesh. Gjithashtu dhe Vietnami është partneri kryesor tregtar i Kinës ndër vendet anëtare të ASEAN-it dhe partnerja e katërt më e madhe tregtare në nivel global, bëri të ditur Ministria e Tregtisë e Kinës në nëntorin e vjetshëm.
Tregtia dypalëshe mes Vietnamit dhe Kinës pati rritje të fortë në gjysmën e parë të vitit, duke arritur në 95 miliardë dollarë amerikanë, deklaroi muajin e kaluar Ambasada e Kinës në Vietnam. (Zhang Yan/Elona)