“Koha”, kënga e re e Sarabela Hasanajt
2024-08-18 10:59:48

Këngëtarja Sarabela Hasanaj ka lindur në Shkodër në vitin 1999. Pasioni i saj për muzikën ka filluar në fëmijëri, me pjesmarrjen në  vitin 2009 në festivalin “Bilbilat e vegjël këndojnë” dhe në një sërë koncertesh të asaj kohe. Në vitin 2017 në festivalin “Pranvera fest” ajo fitoi çmimin e parë dhe në 2019 tek i njëjti festival u nderua me çmimin e dytë. Ajo ka marrë  pjesë  në konkursin  “Pjeter Gaci” në vitin 2018, në kor, por edhe si soliste. Sarabela ka kryer studimet e mesme për kanto  në shkollën “Prenk Jakova” në Shkodër dhe shkollën e lartë për pedagogji muzikore si dhe Masterin në Akademinë e Arteve në Tiranë.

Prej disa vitesh Sarabela interpreton muzikë live me bandën e saj muzikore dhe ka realizuar  disa këngë, ndër të cilat më e reja “Koha” e prezantuar së fundmi. Për Radio Ejani ajo tregon rrugëtimin e saj artistik, si edhe planet krijuese.

CMG: Ke disa javë që ke publikuar këngën e re "Koha". Flasim për fabulën e saj dhe realizimin.

Sarabela Hasanaj: U bë rreth një vit e gjysmë që nuk kisha publikuar këngë me videoklip dhe ishte momenti i duhur për ta sjellë një këngë të re këtë verë. Është një projekt të cilin e ka bërë Apollo, Besar Maliqi, tekstin Xani. Fabula flet për faktorin "kohë", duke e lënë të nënkuptohet se, ka ende kohë për t'u kthyer bashkë në një lidhje, ashtu si thuhet në këngë "kthehu sa nuk është vonë". Në fillim kam dëgjuar melodinë  e këngës, më pëlqeu shumë, por dhe teksti dhe nisa bashkëpunimin.

CMG: Çfarë kujton nga momentet e xhirimeve të videoklipit?

Sarabela Hasanaj: Xhirimet i kam realizuar në Strugë dhe mbaj mend që ka qenë shumë nxehtë. Unë isha në majë të malit me një pamje shumë  të bukur panoramike, por isha zbathur dhr mezi e kam duruar të nxehtin. Mendoj se ja ka vlejtur sepse ka dalë shumë bukur videoklipi.

CMG: Më trego për rrugëtimin tënd artistik.

Sarabela Hasanaj: Kënga e parë është "Menja", kënga e dytë është "Gajle", e treta ka qenë bashkëpunim me Besar Maliqin për këngën "Rrena", si dhe kënga e fundit, që sapo ka dalë "Koha".

CMG: Kur ke kënduar  për herë të parë?

Sarabela Hasanaj: Jam angazhuar që e vogël në festivalet e fëmijëve "Bilbilat e vegjël këndojnë" në Shkodër, kam marrë pjesë në festivalin "Pranvera fest" ku kam fituar çmimin e parë, e më pas fitova çmimin e dytë. Kam punuar me mësuesen time të muzikës, e pas ndoqa studimet e shkollës së mesme në degën e Kantos. Jam angazhuar me aktivitete të ndryshme të muzikës klasike, tek disa festivale si, 'Pjetër Gaci', "Marie Kraja", kam qenë pjesë e korit "Prenk Jakova" me drejtues Gjon Shllakun, të cilin e përshëndes.

CMG: Pasi përfundove studimet e shkollës së mesme për Kanto, ndoqe universitetin për një tjetër degë. Përse nuk vijove studimet për kanto?

Sarabela Hasanaj: Kjo pyetje më është bërë shpesh. Në të vërtetë unë e kam shumë qejf muzikën klasike, madje sa herë që të më jepet mundësia, unë atë rrymë do këndoja. Por ngaqë e pashë tregun muzikor që ishte i vështirë dhe vendet e punës për këtë degë janë të limituara, vendosa që të kryeja studimet për pedagogji muzikore. Por gjithsesi mua sa herë të më jepet rasti, vetëm muzikë klasike do të këndoj, ajo është dashuria ime e parë.

CMG: Punon si mësuese muzike?

Sarabela Hasanaj: Vazhdoj të interpretoj live prej tre vite e gjysmë, por profesionin si mësuese muzike mendoj ta kem në vazhdimësi.

CMG: Cili është repertoni yt muzikor në interpretimet live?

Sarabela Hasanaj: Këndoj serenata korçare, shkodrane, muzikë moderne shqiptare dhe muzikën e lehtë.

CMG: Po muzikë klasike këndon?

Sarabela Hasanaj: Nëse e shoh që ka publik që e pëlqen këtë rrymë muzikore, këndoj edhe ndonjë këngë nga muzika klasike.

CMG: Çfarë interpreton nga muzika klasike?

Sarabela Hasanaj: Kryesisht kur më jepet rasti interpretoj veprën shqiptare, operan "Mrika" të Prenk Jakovës.

CMG: Nga e ke të trashëguar talentin tënd?

Sarabela Hasanaj: Talentin dhe dashurinë për muzikën e kam të trashëguar nga xhaxhallarrët e babait, hallat e babait tim, të  cilët për shkak të rrethanave që kishin, nuk mund ta vazhdonin  muzikën. Tani unë jam e vetmja që po e trashëgoj muzikën dhe shpresoj që ta vazhdoj atë ëndërr të tyre të lënë përgjysmë.

CMG: Si e sheh veten  pas një dekade?

Sarabela Hasanaj:: Mendoj se do jem në një status tjetër të jetës karrierës time.

CMG: Projekti më i afërt cili është?

Sarabela Hasanaj:: Mendoj se projekti im më i ri do vijë së shpejti, besoj nga shtatori.

Intervistoi: Sava Lena.