Presidenti amerikan: Marrëveshja për armëpushimin në Gaza më afër se kurrë më parë
2024-08-18 13:24:11

Biden (Foto Atsh)

Presidenti amerikan, Joe Biden, është shprehur optimist në lidhje me përfundimin e një marrëveshjeje në negociatat për një armëpushim në luftën e Gazës, shkruan “ATSH”.

“Jemi më afër se kurrë. Mund të kemi diçka, por nuk jemi ende atje. Është shumë më afër sesa ishte tre ditë më parë”,- deklaroi presidenti Biden në një konferencë me mediet në Shtëpinë e Bardhë.

Ndërmjetësuesit nga SHBA-ja, Egjipti dhe Katari, së bashku me Izraelin dhe lëvizjen islamike palestineze Hamas nuk arritën një përparim, sipas një deklarate të përbashkët, por ata thanë se bisedimet dyditore në kryeqytetin e Katarit Doha ishin konstruktive.

Një tjetër takim i nivelit të lartë pritet të mbahet në Kajro para fundit të javës së ardhshme.

Sipas tre ndërmjetësuesve, ka një propozim që synon ngushtimin e boshllëqeve të mbetura. Kjo përputhet me parimet e planit të paqes që presidenti amerikan Biden paraqiti në fund të majit. (Irma)