BE dënon dhunën izraelite në Bregun Perëndimor dhe kërkon ndalimin e saj
2024-08-18 12:25:48

Borrell (Foto Atsh)

Bashkimi Europian dënon sulmet e kolonëve nga Izraeli në Jit, në veri të Bregut Perëndimor, dhe i kërkon Tel Avivit zyrtar të ndalë këto veprime të papranueshme, deklaroi shefi për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë në BE, Josep Borrell.

“Ne dënojmë sulmet e kolonëve në Jit, që synojnë terrorizimin e civilëve palestinezë”,- shkroi Borrell në një postim në “X”, citon “ATSH”.

Sipas kryediplomatit europian, ditë pas dite, në një pandëshkueshmëri pothuajse totale, kolonët izraelitë nxisin dhunën në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke kontribuuar në rrezikimin e çdo mundësie për paqe. Ai i bëri thirrje qeverisë izraelite të ndalë menjëherë këto veprime, duke i cilësuar të papranueshme.

“Konfirmoj synimin tim për të paraqitur një propozim për sanksione të BE-së kundër mundësuesve të kolonëve të dhunshëm, duke përfshirë disa anëtarë të qeverisë izraelite”,- shtoi ai.

Gjatë viteve të fundit, ushtria izraelite ka kryer bastisje të rregullta në Bregun Perëndimor të pushtuar, të cilat janë përshkallëzuar me fillimin e luftës në Gaza më 7 tetor 2023. (Irma)