Festivali i Filmit ne Sarajeve (Foto Atsh)
Në Teatrin Kombëtar në Sarajevë startoi Festivali i 30-të i Filmit (SFF), i cili do të zgjasë deri më 23 gusht, me premierën botërore të filmit artistik “Pas verës”, të regjisorit boshnjak, fitues të çmimit “Oscar”, Danis Tanoviç, shkruan “ATSH”.
Filmi u shfaq njëkohësisht në disa kinema të vendit, edhe në Mostar dhe Tuzla.
Figura të shumta të njohura të jetës publike, politike dhe kulturore të Bosnjë-Hercegovinës kaluan në tapetin e kuq.
Në kuadër të ceremonisë, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në artin kinematografik, regjisorit palestinez Elia Suleiman iu dha çmimi “Zemra e Nderit” e Sarajevës, të cilën ia dha drejtori i SFF-së, Jovan Marjanoviç.
Përveç Suleimanit, disa nga fituesit e këtij viti të “Zemrës së Nderit” të Sarajevës janë aktorja Meg Ryan, aktori dhe regjisori John Turturro dhe regjisori, skenaristi dhe producenti Alexander Payne.
Nëpër kinema u shfaq edhe filmi “Kuduz” në nder të të ndjerit Abdulah Sidran (1944-2024), në bashkëpunim me Qendrën e Filmit të Sarajevës dhe Shoqatën e Punëtorëve të Filmit të Bosnjë-Hercegovinës.
Më shumë se 250 filma nga e gjithë bota do të shfaqen në edicionin e këtij viti të Festivalit të Sarajevës. (Irma)