Poliomieliti (Foto Atsh)
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) bëri thirrje për një pauzë humanitare në Gaza për të kryer një fushatë masive vaksinimi kundër poliomielitit.
Në një deklaratë të përbashkët me Fondin e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF), OBSH-ja bëri të ditur se pushimet shtatëditore në luftimet midis Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas do të lejojnë fëmijët dhe familjet të arrijnë në mënyrë të sigurt objektet shëndetësore, shkruan “ATSH”.
Autoritetet po planifikojnë të vaksinojnë më shumë se 640.000 fëmijë në territor në dy raunde midis fundit të gushtit dhe shtatorit.
“Pa pauzat humanitare, zbatimi i fushatës nuk do të jetë i mundur”,- thuhet në deklaratë.
Sipas OBSH-së, fushata është urgjentisht e nevojshme pasi tre fëmijë në Gaza zhvilluan simptoma të paralizës, një shenjë e zakonshme e infeksionit të poliomielitit.
Virusi i poliomielitit, i cili transmetohet përmes kontaminimit fekal dhe oral, është zbuluar në ujërat e zeza javët e fundit, megjithëse ende nuk është konfirmuar asnjë rast. (Irma)