Foto nga CFP
Administrata Kombëtare e Energjetikës e Kinës njoftoi të shtunën se kandidati kinez u zgjodh kryetar i Grupit të Punës për Energjinë të APEK-ut për periudhën 2025-2026 gjatë takimit të 68-të të Grupit të Punës për Energjinë të APEK-ut.
Kjo është hera e parë që një përfaqësues nga Kina zgjidhet me sukses për një pozicion drejtues brenda mekanizmit të bashkëpunimit energjetik të APEK-ut. Administrata Kombëtare e Energjetikës u shpreh se ky sukses tregon njohjen prej vendeve të ndryshme anëtare të APEK-ut të arritjeve të zhvillimit të sektorit kinez të energjisë dhe është një tregues i rëndësishëm i pjesëmarrjes së thellë të Kinës në qeverisjen globale të energjisë.
Kjo tregon gjithashtu vendosmërinë e palëkundur të Kinës për nxitjen e transformimit të energjisë, zgjerimin e hapjes dhe ndarjen aktive të mundësive të zhvillimit me botën, tha Administrata.
Kina ka premtuar ta arrijë kulmin e lëshimit të karbonit deri në vitin 2030 dhe neutralitetin e karbonit deri më 2060. Vitet e fundit, Kina ka përshpejtuar zhvillimin e energjisë së pastër me lëshim të ulët karboni, siguri e efektivitet të lartë, duke arritur suksese historike në sektorin e energjetikës. Në të njëjtën kohë, Kina ka vazhduar të nxitë reformën e qeverisjes globale të energjisë, duke promovuar krijimin e partneriteteve globale për energjinë e pastër, duke formuar marrëdhëniet e partneritetit energjetik në kuadër të nismës "Një brez, një rrugë" dhe duke propozuar një aleancë ndërkombëtare të transformimit të energjisë.
Kina u zotua ta përdorë këtë zgjedhje si një mundësi për të promovuar dialogun konstruktiv dhe pozitiv, duke siguruar që drejtimi i zhvillimit të Grupit të Punës për Energjinë të përputhet me udhëzimet e drejtuesve, ministrave dhe zyrtarëve të lartë të APEK-ut. Kina do të forcojë bashkëpunimin me të gjitha ekonomitë anëtare për të promovuar zhvillimin e vazhdueshëm rajonal, duke dhënë kontribut për ndërtimin e bashkësisë me fate të përbashkëta në Azi-Paqësor. (Fani)