Cako (Foto Atsh)
Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, deklaroi në një konferencë shtypi se në vetëm 24 orë u evidentuan 44 vatra zjarri, në zona të ndryshme të vendit, nga të cilat 34 janë shuar dhe janë vënë nën kontroll, shkruan “ATSH”.
Ai theksoi se strukturat operacionale në nivel vendor dhe qendror, mbështetur edhe me ndërhyrje nga ajri nga ekipi rumun, janë angazhuar për shuarjen dhe izolimin e vatrave të zjarrit.
Sipas Çakos, për izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrave të zjarrit janë angazhuar 275 forca zjarrfikëse, 219 forca ushtarake, 44 efektive nga policia e shtetit, 161 struktura të emergjencës civile të pushtetit lokal, 52 nga administrata e zonave të mbrojtura, 54 shërbimi pyjor, si dhe 98 vullnetarë.
Ai shtoi se, Forca Ajrore me efektivët dhe mjetet janë në gatishmëri të plotë.
“U kërkojmë autoriteteve lokale, në zbatim të ligjit, të mbajnë në gatishmëri strukturat e sistemit të mbrojtjes civile si dhe të aktivizojnë kapacitetet e subjekteve publike e private për përballimin dhe lehtësimin e situatës nga zjarret. Ministria e Mbrojtjes, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe të gjitha institucionet dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile do të vijojnë pa ndërprerje ndjekjen e situatës dhe angazhimin e të gjitha kapaciteteve në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar sipas rastit”,- theksoi Çako. (Irma)