Lija e Majmunit (Foto Atsh)
Autoriteti Shëndetësor Europian, ECDC, bëri të ditur se pritet që të ketë rritje të numrit të personave që vijnë në Europë me variantin e ri të lisë së majmunit, shkruan “ATSH”.
Deklarata erdhi një ditë pasi rasti i parë i variantit të ri jashtë kontinentit afrikan u konfirmua në Suedi. Personi i infektuar kishte qenë më parë në Afrikë.
“Mundësia e transmetimit të vazhdueshëm të virusit në Europë është shumë e ulët, por mbetet e rëndësishme diagnostikimi i shpejtë i rasteve të importuara dhe zbatimi i masave të kontrollit”,- bëri të ditur ECDC-ja.
Specialistët thanë se varianti i ri ka të ngjarë të jetë më ngjitës se variantet e mëparshme dhe mund të shkaktojë infeksion më të rëndë. Megjithatë, lija e majmunit në përgjithësi nuk transmetohet lehtë, me kontakt të drejtpërdrejtë të nevojshëm për transmetim.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpalli të mërkurën nivelin më të lartë të alarmit për shkak të disa shpërthimeve të lisë së majmunit në Afrikë dhe variantit të ri, i cili mund të jetë më i rrezikshëm. (Irma)