Aeroporti i Rinasit me rritjen më të lartë të numrit të pasagjerëve në Europë
2024-08-18 11:58:29

Rinasi (Foto Atsh)

Aeroporti ndëkombëtar shqiptar “Nënë Tereza” kryeson me rritjen më të lartë të numrit të pasagjerëve në klasifikimin për Europën, deklaroi kryeministri Edi Rama, ndërsa ndau në rrjetet sociale të dhënat e publikuara nga Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve, që i referohen katërmujorit të dytë të këtij viti, shkruan “ATSH”.

“Sipas të dhënave të Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve për katërmujorin e dytë të këtij viti, aeroporti “Nënë Tereza” kryeson me rritjen më të lartë të numrit të pasagjerëve në klasifikimin për Europën”,- shkroi kryeministri Rama.

Vetëm në muajin korrik nga aeroporti “Nënë Tereza” hynë 1.191.182 pasagjerë, krahasuar me 834.113 pasagjerë në korrik të 2023-shin.

Në periudhën janar-korrik kanë hyrë 5.982 .066 pasagjerë, ndërsa në të njëjtën periudhë të një viti më parë ishin 3.723.613 pasagjerë. (Irma)