Mario Dine është duke studiuar arkitekturë në vitin e 5-të. Ka mbi 17 vite përvojë në pikturë në kategori të tilla si vaj, akuarei dhe laps. Nëntë vitet e fundit, ka bërë art mural dhe mbishkrime, duke krijuar një komunitet të ri në Shqipëri nëpërmjet rrjeteve sociale. Mario ka mbi 6 vjet përvojë në organizimin e eventeve dhe po e kombinon atë me arkitekturën për të krijuar modele 3D, dizajne dhe koncepte për evente muzikore dhe artistike në Tiranë. Gjithashtu ka qenë distributor ekskluziv i LOOP COLORS për Shqipërinë dhe Kosovën në 2 vitet e fundit, duke e lidhur me shumë artistë të famshëm të rrugës në mbarë botën, të cilët janë të hapur për të bashkëpunuaar me këtë artist të ri të talentuar. Ka krijuar gjithashtu përmbajtje në art përmes YouTube, duke prodhuar mbi 100 video profesionale në 5 vitet e fundit. Mario Dine është i njohur për stilin e tij të veçantë dhe kreativitetin në të gjitha punët e realizuar deri më tani. Ai ka fituar famë për veprat e tij të artit në hapësirat publike, të cilat shpesh përçojnë mesazhe të fuqishme sociale dhe kulturore. Graffitit e Marios dallohen për ngjyrat e guximshme, detajet dhe aftësinë për të transformuar muret e zakonshme në vepra arti që frymëzojnë dhe inkurajojnë reflektimin. Të gjithë këtë eksperiencë ai e rrëfen për Radio Ejani.
“Arti për mua është çdo formë krijimtarie të zhanreve nga më të ndryshmit, të cilët e bëjnë njeriun të jetojë të tashmen. Mendoj që nëse një veprimtari e caktuar e një njeriu që të futet në zonë edhe të krijojë për mua quhet art dhe mund të jetë çfarëdo lloj forme. Mendoj që arti është diçka që ka lindur me njeriun që në momentin që ai është krijuar dhe njeriu është i destinuar të krijojë art. Arti është diçka shumë shpirtërore dhe buron prej saj”.
Marrëdhëina ime me artin ka filluar jo drejtëpërsëdrejti me pikturën, ka qenë muzika e para që më bëri të futesha në këtë zonë kreative. Ku mësoja të këndoja aty shikoja që hyja në një zonë tjetër që harroja të mendoja. Më pas mësova kitarën dhe pas shumë kohësh ju futa kërcimit, ndërsa piktura ishte gjëja e fundit që unë zbulova, por që u dashurova më shumë. Arti vizual ishte ajo që më intrigoi më shumë dhe thjesht ishte ajo lloj forme arti që unë mund të shprehesha më lirshëm. Pramendoj që format e artit janë të pafundme, thjesht njeriu duhet të gjejë atë formë arti e cila e lejon ta shprehë veten e tij më lirshëm. Për mua ishte arti figurativ vizual ku më pas për vitë me rradhë eksperimentova me forma të ndryshme dhe besoj që kjo ka qenë marrëdhënia ime e parë me artin.
Përsa i përket artit figurativ vizual ose më saktë atij mural përballja ime e parë ishte me video me youtube dhe internet, të cilat unë as mund ta imagjinoja që mund të krijoja piktura të atij lloj niveli, të përmasave të mëdha me sprajt. Për mua si fëmijë, kam qenë në moshën dymbëdhjetë vjeçare, ishte shumë e bukur dhe thashë seriozisht mund të bësh art me sprajt në këto nivele gjigante? Fillova të studioja artistë të huaj pasi në Shqipëri nuk njihja, nuk kam parë asnjë artist që e bënte këtë lloj gjëje dhe mbaj mend në atë kohë kurseja lekët që mami mund të mi jepte për të blerë ushqim në shkollë dhe në fundjavë blija sprajte. Pa lejen e tyre shkoja nëpër ndërtesa dhe e praktikoja këtë lloj forme arti. Përfundimi është e njëjta gjë: më bënte shumë prezent dhe ta jetoja shumë momentin edhe asnjëherë nuk do e mendoja që do të arrija të ktheja në punë profesionale, por me kalimin e kohës, me praktikë çdo gjë arrihet.
Edhe vetë jam surprizuar se çfarë mund të arrish edhe tani thjesht e kam hobi, por edhe një profesion që më siguron të ardhura shumë të mira. Përveç këtyre, fuqia që ka ky lloj arti tek subkoshienca e njerëzve në përditshmëri është shumë e fuqishme. Njerëzit kalojnë dhe ti ke kthyer rrugën në një galeri. Pra nuk ka më nevojë që arti të gjejë një ekspozitë dhe unë ta çoj, por unë mund të kthej çdo hapësirë, çdo arkitekturë në galeri dhe për mua nuk është më telajoja korniza ime, por korniza ime varet gjithmonë nga arkitektura. Është një miks i bukur mes arkitekturës edhe pikturës murale ku sfida për mua si artist mural kjo është: dua të gjej një lidhje të mirë mes arkitekturës dhe këtij lloj arti mural. Kjo ka lindur shumë vitë më përpara dhe është përdorur që nga kishat, xhamitë dhe më vonë në arkitekturën neoklasike etj.
Sfidat që ofron ky lloj arti janë të pafundme dhe kjo është një ndër arsyet që gjithashtu mua më tërheq shumë si formë arti. Për mua nëse nuk kam sfida të vazhdueshme bëhet diçka e mërzitshme dhe unë kuptoj që nuk po rritem më dhe në këtë moment vendos që të ndërmarr një aksion tjetër dhe të bëj diçka akoma më sfiduese. Sfidat lidhen pak me mënyrën sesi ne mendojmë dhe sesi i shohim këto sfida. Për mua sfidat gjithmonë janë ato që na bëjnë më të fortë dhe nëse ne nuk do t’i përballim atëhere ato do të vijnë drejt nesh. Kështu që kam zgjedhur që më mirë të shkoj unë drejt tyre sesa të pres, të rri në zonë rehatie dhe të vijnë ato më pas tek unë. Por gjithashtu ka edhe një mënyrë sesi të jesh edhe më i lumtur. Nëse ti shkon drejt sfidës me dëshirën e vullnetin tënd atëherë lumturia që ti do të marrësh do të jetë gjithashtu shumë e madhe. Përsa i përket artit mural kemi qenë pa gjumë, ne mes të diellit, kanë qenë sfida në lartësi të ndryshme, skela, sfida me frikërat e tua nga më të mëdhatë. Kam kuptuar që e vetmja mënyrë për të hequr frikën është e njëjta gjë: të shkosh drejt saj. Nuk ka mënyrë tjetër që të heqësh një frikë nëse nuk shkon dhe mer aksion drejt saj. Për këtë do të inkurajoja çdo artist: është e vështirë të marrësh sfida, por në momentin që mësohesh me këtë ritëm atëhere të bëhet mënyrë jetese dhe nuk ka asgjë që të ndalon.
Ti dashurohesh me procesin jo me destinacionin ku do të arrish dhe kjo është gjëja më e bukur mendoj për artistin të dashurohet me gjithë procesin sesi arriti aty sesa me vetë destinacionin. Procesi sesi mund të realizosh një graffiti është nga më të ndryshmet. Ato mund të fillojnë që nga free style-t, free hand që ti përdor lirshmërinë tënde kreative në një mur në moment sesi ty të vjen, por gjithashtu mund të jenë edhe të mirëmenduara ku ti mer një inspirim diku, ndoshta nga jeta shoqërore, ose duke njohur veten tënde mer një inspirim tjetër dhe e reflekton në një letër. Sigurisht më pas të duhet që të përballesh me një sfidë tjetër që është: ta hedhësh këtë skicë në letër në një mur të madh ku raportet ndryshojnë shumë. Këtu hyn në lojë gjeometria dhe matematika, sepse syri i njeriut nuk arrin dot që ta masë korrekt në këto lloj dimensionesh po me rregulla matematikore siç janë “doodle grid” ose “kuadtrati grid” ku ti mund të arrish që të njëjtën skicë që ke në një letër të vogël ta hedhësh me të njëjtat raporte dhe përmasa në një fasadë murale gjigante dhe më pas skica është një pjesë shumë e rëndësishme se pasi ke kapur raportet ti vazhdon me pjesën e mbushjes ku edhe vetë këtu ka stile të ndryshme, çdo artist ka stilet e tij.
Është e pafundme mund të them kështu që në rastin tim unë përdor shumë efektin bazën kryesore të dritës dhe hijes dhe më pas loz me efektet për të krijuar teksturën.
Bojrat që përdoren përsa i përket muraleve që unë realizoj janë profesionale për këtë lloj pune. Ato kanë substanca që mbrojnë nga rrezet e diellit, nga shiu, nga lagështia dhe kanë një garanci dhjetë vite plus. Nëse ti i vendos një shtresë llaku sipër atëhere ato mund të shkojnë deri në pesëmbëdhjetë apo njëzetë vite plus dhe sigurisht kanë edhe shumë funksione të tjera. Sprajti profesional për këto lloj pune ka presionin e duhur, trashësinë e bojës së duhur, ka valvulën e cila lejon që ta kontrollosh presionin sa e shtyp dhe gjithashtu ka koka të ndryshme që kontrrollojnë trashësinë dhe llojin e hedhjes së linjës që bën sprajti në të. Pastaj ka efekte nga më të dryshmet që mund të krijosh, këndi i dorës, sa larg e mban dorën, është e pafund por kjo vjen si mundësi e sprajteve profesionale. Në këtë lloj arti është shumë e rëndësishme që mjeti të jetë patjetër pesëdhjetë përqind e punës, pjesa tjetër është praktika që do të bësh.
Në art është gjithmonë dilema që si artist të zgjedh të bëj çfarë dua unë, vetëm idetë e mia, të shpalos artin që unë mendoj të projektoj në telajo apo të bëj diçka më komerciale dhe që e di që do ta pëlqejë pak më shumë publiku, pasi sot është kthyer edhe në biznes. Sigurisht unë i kam ndarë këto të dyja dhe secila ruan vendin e vet. Edhe në momentin kur një biznes kërkon që të përdori artin tim unë gjithmonë zgjedh që të sygjeroj unë çfarë dua dhe gjithmonë përsëri projektoj mesazhet e mia dhe stilin tim në të.
Përsa i përket artit të lirë që dua të bëj mendoj që është proces dhe që ti nuk ia di asnjëherë përfundimin, nuk kam diçka në mendje konkrete, më shumë kam ndjesi brenda meje se çfarë dua që të jetë. Mund të shfaqet me disa imazhe, por asnjëherë nuk e di përfundimin dhe lidhet me një shprehje që thotë: një artist i mirë është si një udhëtar i mire, ai asnjëherë nuk e di ku do të përfundojë destinacioni. Të njëjtën gjë ndjek edhe unë në art kur futem në zonën kreative, që të shpalos ndjesitë e mia. Ndoshta në moment mund të jetë diçka që unë nuk e prisja si do të dilte, por pasi e kam parë pas disa kohësh dhe kam reflektuar mbi pikturën që kam realizuar në atë moment, aty janë fshehur ndoshta frikëra, ide të cilat kanë qenë në subkoshiencën time dhe unë nuk e kam kuptuar që e kam shprehur në atë moment.
Mua sot më frymëzon shumë akti primar i artit nga ku gjenerohet çdo formë, dua të eksploroj më shumë, të dekodoj krijimin. Në duart tona, kudo ku ka jetë fshihen kode të cilat krijojnë gride ose paterna që janë primarë të bazës së krijimit dhe mbrapa saj fshihet matematika. Kështu që kohëve të fundit më ka inspiruar shumë matematika, matematika natyrale ose ka shumë lloje të ndryshme sesi njerëzit i quajnë dhe po fokusohem tek ky lloj i të parit të artit dhe besoj që ka një fuqi brenda që hap shumë dyer, që edhe unë do të vazhdoj të krijoj akoma piktura të tjera. Në faza të dnryshme gjithmonë ke inspirime të ndryshme. Unë asnjëherë nuk e di sesi do të jetë rrugëtimi im në të ardhmen, por për momentin dua të gjej bazën, kodin primar dhe ndoshta do e gjej, ndoshta jo, por më intrigon shumë dhe më inspiron tani.
Nëse do të kisha përballë veten time trembëdhjetë vjeç, në fillim do ta përqafoja fort dhe do t’i jepja një motiv që të besonte akoma më shumë në veten e tij edhe që kishte për t’ia dalë. Mos të dëgjonte shumë se çfarë do të thoshin të tjerët. Të ishte më i lirë, në atë çfarë ai donte të bënte dhe gjithashtu nuk do t’i thosha më shumë sepse ai duhet të ishte aty, të përjetontë ato gjëra në ato momente që jam këtu sot dhe të mendoja këto gjëra. Thjesht përqafimi edhe pak më shumë vetëbesim do të ishte idealja për mua.