Selim Paja: Muzika jonë popullore është e pakrahasueshme
2024-08-17 11:00:32

Kengetari popullor Selim Paja (Foto personale)

Selim Paja këndon pastër dhe bukur këngën popullore të jugut, në koncerte dhe gëzime familjare. Prej shumë vitesh ai me fanatizëm dhe përkushtim përpiqet ta ruajë të pastër në interpretim këngën burimore, duke  mbrojtur këngët më të bukura polifonike dhe popullore të jugut. Selimi ka një zë të veçantë  dhe adhurohet nga shumë artdashës brenda dhe jashtë vendit. Në intervistë për Radio Ejani këngëtari mallakastriot flet për karrierën muzikore dhe aktivitetet brenda dhe jashtë Shqipërisë. 

CMG: Prej sa vitesh interpretoni  muzikën popullore?

Selim Paja: Unë kam shumë vite që studioj, përcjell dhe udhëtoj me këngën dhe muzikën tradicionale të Shqipërisë së jugut, pasi pa këngën nuk e di se çfarë profesioni të dytë mund të kisha. Muzika jonë popullore është një perlë e veçantë dhe e pakrahasueshme. Unë këndoj pak nga të gjitha trevat e vendit, sepse kemi një gamë të gjerë folku me motive të ndryshme të të kënduarit. Kënga e jugut është shumë e bukur dhe ndjehem shumë mirë me të.

CMG: Keni pasur dikë tjetër në familje, që ka kënduar këngë popullore, a e keni trashëguar  këtë traditë?

Selim Paja: Unë jam djalë mallakastriot dhe në krahinën tonë kur kemi një mik për darkë apo nje festë familjare, ia marrim këngës, sepse kënga në tryezat tona është lezeti dhe qershia mbi tortë. Nëse në një festë familjare nuk ka këngë, nuk mund të quhet festë. Në familjen time në raste gëzimesh familjare, unë mezi prisja të këndoja  dhe i pari ishte xhaxhai i cili thyente akullin, por dhe babai gjithashtu ka një zë të ëmbël dhe melodioz. Ne e kemi në gen familjar këngën, por dhe të gjitha familjet e tjera këndojnë në Mallakastër.

CMG: Besoj se dhe kënga polifonike është traditë në familjen tuaj

Selim Paja: Patjetër që po, sepse polifonia është djepi dhe themelet e këngës  dhe aty marr shkas për t’u kthyer në muzikë.

CMG: Keni një repertor të gjerë këngësh popullore të publikuara në YouTube. Si janë pritur nga publiku këto materiale muzikore?

Selim Paja: Unë gjithmonë mundohem të bëj më të mirën  dhe publiku i ka pritur shumë mirë materialet e mia muzikore, sepse unë përkushtohem shumë në një projekt. Merrem shumë me tekstet, i korrigjoj, prandaj dhe publiku më ka mbështetur në të gjitha projektet muzikore. Kjo gjë më bën të ndjehem shumë mirë.

CMG: Si ju ka pritur publiku i diasporës në  koncerte jashtë vendit?

Selim Paja: Sa herë që shkoj për koncerte jashtë shtetit, gjej një publik të etur për këngët tona dhe të respektueshëm. Unë dikur kam qenë vetë emigrant  dhe e kam vuajtur shumë këtë pjesë. Bëhem njësh me të gjithë emigrantët në diasporë.

Selim Paja duke kenduar ne nje event (Foto personale)

Selim Paja gjate nje koncerti (Foto personale)

CMG: Në cilat vende keni kënduar ?

Selim Paja: Kam qenë për koncerte në Greqi, Itali, Francë, Gjermani, Holandë, por kryesisht në Greqi.

CMG: Në repertorin tuaj popullor keni këngë në bashkëpunim me këngëtaren Irini Qirjako. Si jeni ndjerë në duet me të?

Selim Paja: Bashkëpunimet me Irinin kanë qenë shumë të frytshme për mua. Kam qenë shumë i privilegjuar  dhe për këtë e falenderoj shumë Znj. Irini. Kam marrë pjesë në shumë emisione televizive dhe është  meritë e saj, e cila më ka mbështetur shumë. Irini bashkëpunon dhe di të respektojë kolegët, aq më tepër me ne kolegët më të rinj.

CMG: Deri tani keni sjellë vetëm këngë të reja, apo dhe të vjetra popullore?

Selim Paja: Kënga pooullore shqiptare i ka themelet e vendosura sot e shekuj më parë, prandaj dhe unë mundohem të jem te kënga e tabanit, duke eksploruar këngët e vjetra dhe t’i risjell ato. Gjithashtu dhe të eksploroj te këngët e reja.

CMG: Cilët janë bashkëpunëtorët tuaj në realizimin e produksioneve muzikore?

Selim Paja: Kam shumë bashkëpunëtorë, poetë dhe kompozitorë me të cilët bashkëpunoj. Kam bashkëpunuar me kompozitorin e madh Edmond Zhulali, Klodian Qafoku, Genci Malaj, Alban Hoxhaj dhe Edi Balili. Ndërsa nga poetët disa prej tyre janë larguar nga jeta, si poeti i madh Arben Duka dhe Jorgo Papingji. Gjithashtu kam bashkëpunuar me poetin Armand Trebicka  dhe në disa këngë jam kantautor me materialet e mia.

CMG: Kostumin popullor të trevës suaj e keni veshur ndonjëherë?

Selim Paja: Patjetër që e kam veshur kostumin popullor të krahinës time, sepse aty unë ndjehem i pasur dhe krenar.

CMG: Flasim për pjesëmarrjen tuaj në spektaklin “Këngë Moj”, si jeni ndjerë mes artistëve të tjerë pjesëmarrës?

Selim Paja: Kam marrë pjesë për herë të parë këtë vit në “Këngë Moj” në natën e Irini Qirjakos, të cilën e përshëndes sepse jam ndjerë shumë mirë dhe i privilegjuar. Aty kam qenë dhe midis artistëve  Juliana Pasha, Eneda Tarifa, Hysni Alushi, Enkelejda Arifi, Ervin Bushati dhe të tjerë.

CMG: Si e keni pasur agjendën e koncerteve dhe gëzimeve familjare këtë sezon?

Selim Paja: Unë jam i pranishëm në dasma dhe evente muzikore nga Tirana në Konispol, ku jam ndjerë shumë mirë nga mbështetja e adhuruesve të këngës sime.

CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë, miqtë dhe adhuruesit tuaj.

Selim Paja: Përshëndes të gjithë artdashësit shqiptarë, dhe ata që më mbështesin mua.

Intervistoi: Gazmend Agaj