Rritet me rreth 20% portofoli i kredisë në lekë
2024-08-17 12:24:36

Banka e Shqiperise (Foto Atsh)

Portofoli i kredisë ka ruajtur trendin pozitiv rritës të dy viteve të fundit, duke u zgjeruar edhe më tej në tremujorin e dytë të 2024-s. Bankat kanë vijuar me financimin e një numri më të lartë aplikimesh për kredi, si nga bizneset ashtu edhe nga individë, shkruan “ATSH”.

Kushtet e financimit ndikuan pozitivisht kërkesën për kredi të bizneseve, ndërsa shtimi i kërkesës për kredi nga individët buroi prej nevojave të shtuara për hua në financimin e konsumit dhe të blerjes së banesave.

Sipas drejtorit të Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë, Erald Themeli, kreditë në lekë vazhdojnë të përbëjnë shumicën e portofolit total të kredisë.

“Portofoli i kredisë në lekë aktualisht ka një rritje vjetore prej 20%, me një kontribut pozitiv edhe nga rritja e portofolit të kredisë në valutë. Ky fluks kredie që shkon për sektorin privat shqiptar, i ka shërbyer si bizneseve, por ka mbuluar edhe nevojat e familjeve shqiptare”,- tha Themeli.

Portofoli i kredisë për individët ka pësuar një rritje vjetore prej 14.8%, rreth 1.2 pikë përqindje më e lartë se në tremujorin e parë.

Në Raportin e Politikës Monetare të Bankës së Shqipërisë, thuhet se kreditë për blerje banese kanë pasur një ritëm më të shpejtë rritjeje se kreditë konsumatore. Konkretisht, kreditë për blerje banese u rritën me 16.4% nga 14.8% në tremujorin e parë, ndërsa kreditë konsumatore patën një zgjerim më të moderuar, duke u rritur me 15.2%, vetëm 0.4 pikë përqindje më shumë.

Nga ana tjetër, kreditë për bizneset kanë pasur një rritje vjetore prej 14%, rreth 4 pikë përqindje më të lartë se ajo e shënuar mesatarisht në tremujorin e parë. Rritja e kredisë për biznes u ndikua nga rritja e fortë e kredisë për investime. (Irma)