Lideri i Autoritetit Palestinez: E gjithë administrata palestineze do të shkojë në Gaza
2024-08-17 11:54:45

Abbas (Foto Rtsh)

Lideri i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, deklaroi se ai dhe të gjithë anëtarët e administratës palestineze kanë vendosur të shkojnë në Gaza, gjatë një fjalimi para ligjvënësve në Asamblenë e Madhe Popullore të Turqisë (TBMM), në Ankara, ku ishte i pranishëm edhe presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, shkruan “RTSH”.

Duke vlerësuar qëndrimin e Turqisë në mbrojtjen e të drejtave legjitime të popullit palestinez, Abbas tha se do të vazhdohet të qëndrohet stoikisht dhe nuk do të braktisen tokat e vendit.

“Populli ynë do të dëbojë uzurpatorët pa marrë parasysh çka të ndodhë. Nuk mund të ketë shtet palestinez pa Gazën”,- tha Abbas duke falënderuar Turqinë, e cila ka dërguar dhjetëra mijëra tonë ndihmë humanitare për popullin palestinez në Gaza.

Ai theksoi se populli palestinez qëndron kundër lëvizjes sioniste që synon të kontrollojë gjithë rajonin.

“Do ta rindërtojmë Gazën dhe do të shërojmë plagët tona me mbështetjen edhe të vendeve mike, në kuadër të shtetit tonë të pavarur palestinez”,- u shpreh Abbas, duke theksuar se duke mos pasur asnjë zgjidhje tjetër ai dhe të gjithë anëtarët e administratës palestineze kanë vendosur të shkojmë në Gaza. (Irma)