18 shkolla shqiptare bëhen pjesë e programit të shkëmbimit “Superschools”
2024-08-17 13:00:44

Shkollat (Foto Superschools.net)

Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO) njoftoi se 90 shkolla të mesme nga Ballkani Perëndimor, mes tyre 18 nga Shqipëria, janë përzgjedhur për të marrë pjesë në programin e shkëmbimit “Superschools”, shkruan “ATSH”.

Shkollat e përzgjedhura nga rajoni do të zbatojnë shkëmbime rajonale duke përfshirë më shumë se 1200 nxënës, ndërsa RYCO do të ofrojë mundësi të ndryshme për ngritjen e kapaciteteve për më shumë se 100 mësues.

Këtë vit në shkëmbime do të marrin pjesë shkolla nga Pogradeci, Korça, Vlora, Elbasani, Lushnja, Shkodra, Berati, Durrësi, Fieri dhe Kamza.

Për thirrjen e 3-të të hapur të Supershkollave u dorëzuan 155 propozime shkëmbimi, u krijuan 161 partneritete nga të cilat 17 janë afatgjatë nga cikli i dytë, ndërsa më shumë se 535 shkolla nga Ballkani Perëndimor përdorën platformën online “www.superschools.net” për t’u lidhur me shkollat e tjera.

Zbatimi i projekteve do të ndodhë nga data 15 nëntor 2024 deri më 15 prill 2025. Çdo shkollë partnere do të organizojë një vizitë shkëmbimi në atë partnere që zgjat deri në 7 ditë me një grup deri në 12 nxënës dhe 1-2 mësues.

Nëpërmjet skemës së shkëmbimit, nxënësit dhe mësuesit do të kenë mundësinë të udhëtojnë, të prezantojnë veten, shkollat dhe zakonet e tyre te mikpritjes si edhe të mësojnë gjëra të reja për komunitetet lokale në të gjithë rajonin.

RYCO shpreh mirënjohjen për të gjitha propozimet e Supershkollave dhe për interesin për të qenë pjesë e kësaj mundësie unike rajonale të shkëmbimit të shkollave.

“RYCO Superschools” është pjesë e një projekti shumë donatorësh, të bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ) dhe zbatuar nga “Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit” (GIZ) së bashku me RYCO. (Irma)