Strategjia per zjarret (Foto Atsh)
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Arben Kingji, zhvilloi një takim me ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vëngu, dhe drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, në sallën e Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, ku realizohet koordinimi dhe mbështetja e forcave për nevojat e emergjencave civile, mbi zhvillimin e strategjisë për përballimin e situatës të zjarreve në vend, shkruan “ATSH”.
Kingji tha se Forcat e Armatosura janë angazhuar me një personel prej mbi 4600 forcash për të përballuar situatën e zjarreve këtë verë.
Sipas tij, Forcat e Armatosura janë aktualisht të pranishme në të gjitha qarqet me forca, mjete, helikopterë si dhe pjesë të tjera mbështetëse sipas nevojës.
Ai shtoi se gjatë kësaj periudhe është operuar me Forcën Ajrore, ku janë vënë në dispozicion helikopterët “Cougar”. Po ashtu është operuar edhe me dronët “Bayraktar” për të përcaktuar të gjitha vatrat, dëmet e shkaktuara nga zjarret, për të pasur një ide më të qartë për dëmet.
Njëkohësisht, shtoi ai, në mbështetje të Emergjencave Civile janë vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet xheniere për pastrimin e municioneve ku operojnë forcat në terren.
Çako u shpreh se deri tani ka pasur një përballim të suksesshëm të të gjitha situatave, pavarësisht intensitetit të shtuar dhe të jashtëzakonshëm të zjarreve.
Ai bëri një thirrje për gjithë komunitetin të jenë pjesë integrale e reagimit në kohë për paralajmërimin e hershëm, pasi, sipas tij, koha në të cilën reagohet është një nga elementët më thelbësorë dhe më të rëndësishëm të të gjithë përballimit të këtyre situatave të pazakonta. (Irma)