Kolera (Foto Atsh)
Organizata Botërore e Shëndetësisë raportoi se gati 52.000 raste të kolerës u raportuan nga 17 vende të botës në muajin korrik, 15% më shumë në baza mujore.
Përveç rasteve të kontaminimit u raportuan edhe 223 vdekje, 34% më shumë në baza mujore, shkruan “ATSH”.
“Përgjigjja ndaj kolerës vazhdon të ndikohet nga një mungesë e madhe e vaksinave (OCV), pasi kërkesa vazhdon të tejkalojë ofertën, me 105 milionë doza të kërkuara nga 18 vende që nga janari 2023, pothuajse dyfishi i 55 milionë dozave të prodhuara në këtë periudhë”,- bëri të ditur OBSH-ja.
Infeksioni bakterial në zorrën e hollë përhapet përmes ushqimit dhe ujit të kontaminuar. Nëse nuk trajtohet, mund të shkaktojë vdekje brenda disa orësh, veçanërisht te fëmijët.
Rajoni i Mesdheut Lindor regjistroi shifrat më të larta, rreth 43.500 të prekur.
Rajoni përfshin 21 vende nga Pakistani në Afganistan dhe Irani në Marok dhe Rripin e Gazës.
Deri në fund të korrikut, më shumë se 307.000 raste ishin raportuar, nga më shumë se 700.000 vitin e kaluar. (Irma)