Ministrja Manastirliu me olimpiket (Foto Atsh)
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, priti ekipin olimpik shqiptar, i cili përfaqësoi vendin në Lojërat Olimpike Paris 2024, duke marrë për herë të parë dy medalje olimpike.
Ministrja Manastirliu njoftoi se, me vendim të Këshillit të Ministrave, do të ketë shpërblime specifike për sportistët që i sollën medalje Shqipërisë, shkruan “ATSH”.
Ministrja Manastirliu vlerësoi suksesin historik të dy sportistëve të mundjes, Chermen Valiev dhe Islam Dudaev, të cilët u ngjitën në podin e fituesve të medaljes së bronztë në Olimpiadë, një arritje që përfaqëson jo vetëm një sukses personal, por edhe një fitore për vendin.
“Na keni bërë vërtet krenarë! Keni ngritur lart flamurin kombëtar dhe është një ngjarje historike fakti që kemi fituar dy medalje olimpike të bronzta. Çdo fitore, sado personale, është mbi të gjitha fitore e një ekipi. Dua të shpreh mirënjohjen time për të gjithë ekipin kombëtar që përfaqësoi Shqipërinë në Lojërat Olimpike, por më lejoni të falënderoj posaçërisht ju, dy medalistët tanë. Kemi përjetuar shumë emocione dhe kemi qenë të gjithë aty me ju, me zemër dhe mendje. Faleminderit Chermen Valiev dhe Islam Dudaev për arritjet tuaja dhe për faktin që keni ngritur lart flamurin e Shqipërisë”, tha ministrja Manastirliu.
Manastirliu nënvizoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme për sportistët shqiptarë dhe sportin elitar.
Ajo theksoi politikat dhe investimet e bëra nga qeveria për të përmirësuar infrastrukturën sportive dhe për të krijuar kushte më të mira për përgatitjen e sportistëve. Sipas saj, sukseset e sportistëve shqiptarë tregojnë se këto përpjekje po japin fryte dhe se sporti shqiptar do të prodhojë edhe më shumë medalje dhe kampionë në të ardhmen. (Irma)