Pagesa me karte (Foto Rtsh)
Shqipëria numëron aktualisht rreth 22 mijë terminale POS (Point of Sale) për pagesa me kartë. Vetëm në tremujorin e dytë të vitit rezulton të jenë shtuar 2 mijë terminale të reja.
Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se rreth 99% të kësaj shifre totale e përbëjnë terminalet “EFTPOS”, të cilat përdoren gjerësisht nga bizneset kur qytetarët kryejnë pagesën e blerjeve apo të shërbimeve përmes një karte krediti apo debiti, shkruan “RTSH”.
Për sa i takon numrit të transaksioneve të kryera, gati 1.6 milionë është numri i pagesave të kryera me karta në terminalet POS dhe vetëm 19 tërheqje parash gjatë muajit qershor.
Ndërkohë, përafërsisht 34 mijë transaksione janë kryer për mbushjen, rimbushjen ose tërheqjen e vlerës së mbetur të parasë elektronike dhe 74 mijë janë pagesa me para elektronike. Në gjysmën e parë të vitit, janë kryer 8.8 milionë pagesa me kartë në terminalet POS.
Ndërkaq 68 milionë lekë ka arritur vlera totale e pagesave të realizuara përmes terminaleve POS në qershor, ndërsa 369 milionë lekë është shuma e përgjithshme në fund të gjashtëmujorit të parë.
Shtimi i këtyre terminaleve përkthehet në një përdorim më të madh të kartave bankare nga qytetarët, duke kontribuar ndër të tjera edhe në reduktimin e informalitetit në ekonomi. (Irma)