Kamping (Foto Rtsh)
Kampingu në Shqipëri duket se po bëhet gjithmonë e më shumë preferenca e re e akomodimit.
Sipas të dhënave të strukturave akomoduese, të publikuara nga Instituti i Statistikave të Shqipërisë (INSTAT), në muajin maj të këtij viti rezultoi se rritja më e madhe e vizitorëve vihet re në hapësirat për kampingje, për parqe, për çadra ose rulota, edhe pse hotelet kanë numrin më lartë të vizitorëve, shkruan “RTSH”.
Nëse analizohet numri i netqëndrimeve të vizitorëve gjithsej në kampingje apo rulota rezulton se Shqipëria është vendi i tretë në Europë me rritjen më të lartë për muajin maj, me 66.5%. Bullgaria dhe Polonia udhëheqin rritjen, ndërkohë që mesatarja e Bashkimit Europian rezulton me rënie në 27%. Në këtë rënie duket se ka ndikuar Lituania, Rumania, Islanda dhe Franca.
Ndër vendet e rajonit, Maqedonia e Veriut renditet pas Shqipërisë, pasuar nga Mali i Zi dhe Serbia me një diferencë në pozicionim.
Për netët e kaluara në kampingje nga vizitorët e huaj, Shqipëria renditet në vend të pestë me një rritje prej 58%. Bullgaria kryeson me një rritje deri në 180%. Në nivel rajoni, Maqedonia e Veriut ka shënuar rritje më të madhe se Shqipëria.
Shqipëria rritjen më të lartë të numrit të netqëndrimeve e ka sa i përket vizitorëve vendas. Në muajin maj ky tregues është rritur me 224%, duke e renditur vendin si të dytin në Europë me rritjen më të madhe.
Në rajon rezulton se kampingjet janë më pak të preferuara nga vendasit, pasi në Serbi dhe Malin e Zi numri i netëve të kalauara në kampingje është me rënie, krahasuar me majin 2023. (Irma)