SHBA-ja miraton shitjen e mundshme të raketave “Patriot” në Gjermani
2024-08-17 12:56:51

Raketa (Foto Atsh)

Shtetet e Bashkuara të Amerikës miratuan shitjen e mundshme të deri në 600 raketa të mbrojtjes ajrore “Patriot” në Gjermani për rreth 5 miliardë dollarë, njoftoi Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), përcjell “ATSH”.

Agjencia e Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes së SHBA-së (DSCA) bëri të ditur përmes një deklarate se shitja e propozuar do të përmirësonte aftësinë e Gjermanisë për të përballuar kërcënimet aktuale dhe të ardhshme dhe për të rritur aftësitë mbrojtëse të ushtrisë së saj.

“Kjo shitje e propozuar do të mbështesë politikën e jashtme dhe sigurinë kombëtare të SHBA-së, duke përmirësuar sigurinë e një aleati të NATO-s që është një forcë e rëndësishme për stabilitetin politik dhe ekonomik në Europë. Kjo do të mbështesë qëllimin e Gjermanisë për të përmirësuar mbrojtjen kombëtare dhe territoriale, si dhe ndërveprueshmërinë me forcat e SHBA-së dhe NATO-s”,- thuhet në deklaratë.

Shitja do të përfshijë gjithashtu pajisje përkatëse, duke përfshirë veglat dhe pajisjet e testimit, pajisjet e trajnimit, pjesët rezervë dhe riparimin dhe mbështetjen logjistike. (Irma)